Lidhje

Meta: Lëvizja ime synon ndërgjegjësimin e opinionit me problemet serioze të vendit - 2003-08-06


Ish-kryeministri Ilir Meta, vazhdoi të mërkurën turneun e tij nëpër rrethet e Shqipërisë, në perpjekje per të siguruar mbështetjen e bazës socialiste në luftën e tij kundër kryeministrit dhe kryetarit të partisë Fatos Nano. Zoti Meta dhe disa deputetë, përkrahës së tij, organizuan të mërkurë një takim në Shkodër. Sërish në qendër të kritikave ka qenë kryetari Nano dhe qeveria e tij. Zoti Meta ka deklaruar se nuk do të lejohet që Partia Socialiste të kthehet në një piramidë. Sipas tij, ekonomia e vendit po shkon drejt rënies, për shkak të monopolizimit të saj. Ai kritikoi procesin e privatizimit të sektorëve strategjikë si dhe përdorimin e fondeve publike për të mbuluar defiçitin buxhetor. Zoti Meta është shprehur se do të vazhdojë të denoncojë fenomenet negative për të mos e lënë kryeministrin Nano që të mashtrojë me paratë e shqiptarëve. Megjithë kritikat e rënda, zoti Meta u bëri sërish thirrje socialistëve që të angazhohen për fitore në zgjedhjet vendore. Konflikti mes dy figurave kryesore të Partisë Socialiste u rishfaq i ashpër pas dorëheqjes së zotit Meta nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm. Ky konflikt arriti kulmin, kur zoti Meta dhe përkrahësit e tij bllokuan votimin e ministrit të ri të jashtëm, të propozuar nga kreu i qeverisë së Fatos Nanos. Zoti Meta i dha të mërkurën një intervistë Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, cili është në thelb qëllimi i lëvizjes suaj dhe a mendoni t’i vazhdoni takimet me socialistët edhe në qytete të tjera të vendit?

Ilir Meta:Më duket se tashmë opinioni publik është njohur me qëllimet e mia, të cilat synojnë t’u japin fund devijimeve nga programi politik i Partisë Socialiste dhe i qeverisë socialiste, nga programi ynë elektoral i qershorit 2001, si edhe njëkohësisht të frenojnë personalizimin absurd të pushtetit të qeverisjes dhe të Partisë Socialiste nga një person i vetëm dhe po kështu t’i jepet fund deformimit të reformave, ngadalësimit të tyre dhe të gjithë atyre problemeve dhe shqetësimeve konkrete që ka elektorati, që kanë anëtarët e Partisë Socialiste, përpjekje të cilat unë u përpoqa për t’i zgjidhur në rrugë institucionale duke i drejtuar më shumë se dy muaj më parë një letër Kryesisë së Partisë Socialiste pasi kisha bërë të gjitha përpjekjet për t’i zgjidhur ato së bashku me kryeministrin Nano. Dihet tashmë se edhe pas përpjekjeve dhe vullnetit tim për të respektuar rezolutat e Partisë Socialiste, zoti Nano u thellua akoma më tej në politikën e tij hakmarrëse, në përpjekjet e tij për të më eliminuar jo vetëm si zëvendës kryeministër, por edhe në detyrën e Ministrit të Jashtëm. Ai nuk erdhi në analizën gjashtë mujore të Ministrisë së Punëve të Jashtme ku unë e ftova dhe njëkohësisht përfaqësuesit e tij atje nuk ngritën asnjë shqetësim, asnjë problem por përkundrazi montuan një analizë, ose më saktë një përmbledhje, një fletërrufe për punën e Ministrisë së Jashtme me qëllim denigrimin e këtij institucioni, në shenjë hakmarrjeje për të gjitha ato probleme të qeverisë që unë ngrita. Megjithatë nuk dua të kthehem mbrapa, por mund t’ju bëj të ditur se tashmë kam gjetur një mirëkuptim gjithnjë e më të gjerë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët bashkohen me ato shqetësime që unë kam ngritur dhe që kanë të bëjnë me përmirësimin radikal të qeverisjes së vendit, me mbrojtjen e vlerave më të mira të qeverisjes sonë dhe të Partisë Socialiste, me rritjen dhe thellimin e transparencës së qeverisjes sonë dhe jo me rritjen e mëtejshme dhe skandaloze të mungesës së transparencës e cila sikurse e kam shprehur edhe më parë ka të bëjë që nga faktet skandaloze kur një ministri iu mbyll goja në qeveri pse kërkoi të dinte çmimin e aksioneve të shitjes së INSIG-ut, gjë që ishte një përgjegjësi e gjithë anëtarëve të qeverisë dhe që nuk ka ndodhur dhe që nuk besoj se do të ndodhë në ndonjë qeveri tjetër e deri tek edhe mbledhja e fundit e Këshillit të Rregullimit të Territorit, ku deklarohet se nuk ka rëndësi se cilët janë emrat dhe kompanitë të cilat paraqesin projektet dhe marrin vendet më të mira të bregdetit shqiptar, por e rëndësishme është projekti. Një mungesë e tillë transparence, e cila veçanërisht u vërtetua edhe këto ditë me shkarkimet e disa drejtuesve të doganave ku vazhdimisht pretendohej se ishte realizuar plani i të ardhurave çdo muaj, tregon qartë se qeverisja e vendit ka probleme serioze për të cilat duhet të ndërgjegjësohet të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, opinioni publik dhe njëkohësisht është detyra dhe përgjegjësia në radhë të parë e strukturave të Partisë Socialiste për të reflektuar menjëherë në drejtim të përmirësimit të qeverisjes së vendit dhe jo të lejimit të degradimit të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, çfarë propozimesh konkrete keni ju për përmirësimin e punës së kësaj qeverie?

Ilir Meta: Më duket se propozimet unë i kam bërë të qarta në qëndrimin që kam mbajtur në kryesinë e Partisë Socialiste dhe në vazhdimësi. Edhe sot, edhe një herë tjetër unë kam bërë të qartë se vazhdimi i reformave është e vetmja rrugë për të forcuar stabilitetin në vend dhe se stabiliteti në vend nuk mund të jetë real, i qëndrueshëm dhe afatgjatë duke u mbështetur mbi autoritarizmin e një personi duke përdorur pushtetin për të mbuluar problemet, por kjo situatë mund të kapërcehet vetëm duke i zgjidhur këto probleme. Atëherë kërkohet urgjentisht që reformat, në sistemin fiskal veçanërisht, të thellohen akoma më tej, kërkohet që të hiqet dorë nga politika nepotike në sistemin doganor dhe tatimor, e cila i ka sjellë shtetit humbje skandaloze përsa u takon të ardhurave, që sikurse e kam përmendur disa herë në fund të vitit të kaluar ishte në 12 miliardë lekë të reja, pra rreth 100 milionë dollarë dhe deri tani llogaritet në rreth 30 milionë dollarë dhe me tendencë për t’u thelluar gjithnjë e më tej. Po kështu një drejtim tjetër është përshpejtimi i privatizimit të sektorëve strategjikë dhe thellimi i transparencës në maksimum në mënyrë që të rritet dhe të makzimizohet vlera e këtyre aseteve që janë pronë e publikut dhe vazhdimi i të gjitha reformave strukturore. Po kështu unë do të theksoja se është e rëndësishme që të sigurojmë dhe mobilizojmë edhe të ardhura të tjera në buxhetin e shtetit dhe unë sot kam bërë edhe disa propozime dhe në të ardhmen do të vazhdoj të bëj edhe propozime të tjera që të rrisim më tej investimet publike nga buxheti i shtetit dhe të mos i pakësojmë ato, veçanërisht në disa vepra të rëndësishme që janë jetike për zhvillimin e shumë zonave të vendit që sot janë të izoluara dhe jetojnë në vështirësi dhe në një varfëri të plotë.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, a nuk shihni ju një kontradiktë në lëvizjen tuaj? Nga njëra anë ju u bëni thirrje socialisteve të angazhohen për fitoren e zgjedhjeve vendore dhe nga ana tjetër ju keni ndërmarrë një fushatë kundër qeverisë së partisë suaj. Si mund t’i ftoni zgjedhësit të votojnë për një parti, kryetari dhe qeveria e së cilës kanë probleme kaq serioze?

Ilir Meta:Unë dëshiroj t’ua bëj edhe juve, edhe dëgjuesve tanë të nderuar dhe gjithë oinionit publik të qartë edhe një herë tjetër konceptin tim, i cili mesa shikoj është edhe koncepti i shumë drejtuesve të tjerë në Partinë Socialiste dhe i elektoratit të saj se ne nuk mund të fitojmë më shumë vota duke mashtruar dhe duke gënjyer, duke bërë më pak investime dhe duke realizuar më pak të ardhura, përkundrazi ne do të fitojmë më shumë vota duke i bërë të qartë elektoratit se ne i njohim problemet, se ne i njohim shqetësimet e tij, se ne i njohim mangësitë e qeverisjes sonë dhe jemi ne pikërisht që i njohim këto, të vendosur për t’i futur në rrugën e zgjidhjes. Njëkohësisht fushata ime nuk është një fushatë kundër qeverisë së Partisë Socialiste, por është një fushatë kundër personalizimit të qeverisjes nga Fatos Nano dhe kundër personalizimit të strukturave të Partisë Socialiste përsëri nga zoti Nano dhe nuk ka të bëjë aspak me një kundërvënie ndaj Partisë Socialiste, ndaj programit të saj, ndaj interesave të saj të cilat unë kam ditur t’i mbroj dhe t’i zhvilloj gjithmonë, jo vetëm duke patur parasysh interesat e partisë, por edhe interesat e vendit, të demokracisë dhe të integrimit evropian të tij. Prandaj besoj se edhe vetë fakti që kryefjala e të gjithë këtyre takimeve është ftesa për të votuar për Partinë Socialiste, është miratimi që unë u kërkoj të gjithë atyre anëtarëve, simpatizantëve, përkrahësve tanë që janë të pakënaqur nga këto probleme të qeverisjes dhe që i evidentojnë edhe në nivel vendor, për të mos e identifikuar partinë me asnjë individ të caktuar, as në Tiranë dhe as në rrethe, por përkundrazi për të votuar për të, për të kuptuar se brenda saj janë tërë ato potenciale, të cilat i kanë mundësitë për t’i vënë problemet në rrugën e zgjidhjes.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, edhe një pyetje e fundit ju lutem: a vazhdoni të mohoni se kjo lëvizje e juaja, nuk synon kandidimin tuaj për kryetain e partisë në dhjetor, në Kongresin e Partisë Socialiste?

Ilir Meta: Unë asnjëherë nuk i kam lidhur zgjedhjet vendore me Kongresin e Partisë Socialiste. Gjithashtu edhe problemet e ngritura me Kongresin e Partisë Socialiste. Përkundrazi e vërteta është ndryshe. E kam thënë edhe një herë tjetër, e përsëris: që në momentin që i kam drejtuar letrën kryesisë së Partisë Socialiste, se nuk i shikoj asnjëherë problemet në një plan kaq afatshkurtër, as deri në tetor, as deri në dhjetor dhe as deri në vitin 2005. Si një politikan i ri, si një politikan i angazhuar për të promovuar në Partinë Socialiste dhe në shoqërinë shqiptare idetë eurosocialiste që në janar të vitit 1992, dua t’i garantoj të gjithë se angazhimi im është për t’i shërbyer ndërtimit të Shqipërisë Evropiane, është për t’i shërbyer ndërtimit të një demokracie të vërtetë, është për t’i shërbyer modernizimit të vendit dhe unë shikoj si alternativën më të mirë pikërisht alternativën eurosocialiste, alternativën e Partisë Socialiste. Unë kam qenë dhe jam i gatshëm që t’i shërbej kësaj alternative në çdo detyrë dhe në çdo përgjegjësi që do të më besohet.//kk//

XS
SM
MD
LG