Lidhje

Shkolla të mesme me program kolegji - 2003-08-07


Në vitin 2001 Kolegji Bard i Shtetit të New Yorkut dhe Bordi i qytetit të New Yorkut krijuan një shkollë të pazakontë për qytetin, Shkolla e Mesme Bard me Program Kolegji.

Tani, dy vjet më pas, nga kjo shkollë kanë përfunduar studimet nxënësit e parë. 93 të rinj morën diplomën e shkollës së mesme, por, në të njëjtën kohë, shumica e tyre morën titullin Associate of Arts në Artet dhe Shencat e Lira. Kjo do të thotë se atyre u njihen dy vite kolegji.

Shumica e këtyre nxënësve do të hyjnë në vjeshtë në kolegje 4-vjeçare, por shumë prej tyre do të jenë të aftë ta përfundojnë atë më parë, për arsye se ata tashmë kanë diplomën Associate of Arts. Kjo do të thotë gjithashtu, se këta studentë do të kursejnë një pjesë të parave për arsimimin e tyre.

Programi Bard është menduar për studentë, të cilët janë të gatshëm të fillojnë programin e kolegjit rreth moshës 16-vjeçare. Themeluesit e tij mendojnë se shumë nga të rinjtë janë të përgatitur për programin e kolegjit, që në këtë moshë. Kjo, thonë ata, është e vërtetë si për nxënësit e mirë, edhe për ata mesatarë, dhe se katër vjet në shkollën e mesme, janë humbje kohe.

Studentët më të mirë të shumicës së shkollave amerikane tradicionale tani studjojnë lëndë, të cilat jepen në nivelin e kolegjit. Por, në shkollën Bard, çdo student i saj i nënshtrohet programit të nivelit të kolegjit.

Shkolla e Mesme Bard me Program Kolegji, është e para e këtij lloji midis më tepër se 100 shkollave të ngjashme, që do të krijohen në vite. Këto shkolla do të krijohen pjesësisht me fonde nga Fondacioni i Bill dhe Melinda Gates. Pronari dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë së Mikrosoftit, Bill Gates dhe gruaja e tij, do të japin 400 mijë dollarë nga fondacioni i tyre për të ndihmuar në krijimin e secilës nga këto shkolla.

Qëllimi është krijimi i shkollave të vogla, fillimisht, të cilat do t’u japin nxënësve nga familjet e varfëra rastin për të vazhduar kolegjin. Specialistët thonë se një numër i madh të rinjsh, të cilët vazhdojnë shkollat e mesme të mëdha, në qytetet e mëdha, nuk mësojnë sa duhet. Shumë prej tyre e braktisin fare shkollën.

Katër prej shkollave të mesme me program kolegji, do të hapen këtë vit, me fondet e Fondacionit Bill dhe Melinda Gates. Këto shkolla u ndërtuan fillimisht nga një organizatë tjetër për arsimin, e quajtur Fondacioni i Bursave Kombëtare Wilson. Dy prej tyre janë në qytetin e New Yorkut. Të tjerat janë në New Orleans, Louisiana dhe Los Anxhelos, të Kalifornisë. Nxënësit e këtyre shkollave nuk do të marrin diplomë, por ata do të ndihmohen për të punuar me programin e nivelit të kolegjit.// lk //

XS
SM
MD
LG