Lidhje

11 vetë humbin jetën nga shpërthimi në Bagdad - 2003-08-07


Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se një grup terrorist i lidhur me al-Qaidën mund të ketë qënë i implikuar në shpërthimin e një makine bombë jashtë ambasadës jordaneze në Bagdad dje. Thuhet se hetuesit po përqendrohen tek grupi Ansar al-Islam, për të cilin zyrtarët amerikanë besojnë se po vepron në Irak.

Nga ky shpërthim u vranë 11 vetë, duke përfshrië edhe 5 policë irakianë, që ruanin ambasadën e Jordanisë. Dhjetra njerëz të tjerë u plagosën, duke përfshirë edhe 5 punonjës të ambasadës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, i telefonoi homologut të tij jordanez, Marwan Muasher, për të shprehur keqardhjen e tij për sulmin. Zoti Muasher kërkoi që të merren masa më të mëdha për mbrojtjen e ambasadës jordaneze në Bagdad. Zyrtarët e Pentagonit thonë se policia irakiane dhe jo trupat e koalicionit do të jenë përgjegjëse për mbrojtjen e ambasadave të huaja.

Pak pas shpërthimit, irakianë të zëmëruar hynë në ambasadën e Jordanisë dhe shkatërruan fotografitë e Mbretit Abdullah dhe babait të tij të ndjerë, Mbretit Hussein. Trupat amerikane dhe policia irakiane ndërhynë për të shpërndarë turmën.

Shpërthimi i makinës bombë pranë ambasadës jordaneze në Bagdad ndodhi një javë pasi Jordania u dha strehim humanitar, siç është cilësuar ai, dy vajzave të Saddam Husseinit. Jordania ka mbështetur gjithashtu pushtimin e Irakut të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.//ic//

XS
SM
MD
LG