Lidhje

Gruaja shqiptare është e aftë të sfidojë si figurë me identitet - 2003-08-07


Intervistë me Sekretaren e Përgjithshme të Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Linda Ihsani.

Zëri i Amerikës: Zonja Ihsani, si është atmosfera e zgjedhjeve ne Shqipëri, a ka ndonjë ndryshim fushata e tanishme me ato të kaluarat?

Linda Ihsani: Zgjedhjet ngjasin me njëra tjetrën në përgjithësi, e veçanta është që në Shqipëri këtë vit zgjedhjet elektorale priten të jenë mjaft të nxehta, të krahasueshme me motin. Fakti është që të dyja forcat politike janë të impenjuara seriozisht, kandidatët sigurisht po përplasen, po përqasen me standarte më të larta në përzgjedhjen e tyre, por përtej kandidatëve, elektorati në pamje të parë sheh kandidatin, por pret të shohë alternativën e të gjithë partive politike. Dhe mendoj se do të jetë fushatë e nxehtë, për një fakt të thjeshtë, që unë do të doja ta shprehja me pak fjalë. Janë dy alternativat kryesore të forcave kryesore. Një alternativë që tani të gjithë jemi koshientë, është e dështuar dhe është ajo e forcës politike në pushtet, e dështuar në sensin më të thjeshtë të qytetarëve, në politikat sociale dhe unë prandaj jam këtu, pasi politika sociale është ajo që në radhë të parë prek gruan. Alternativa tjetër po prek në gjithë gamën e saj, po prek pikërisht problemet kryesore të jetës shqiptare, të shoqërisë shqiptare, të jetës shqiptare, të shqiptarit në qënien e tij. Nuk e di, në se duhet t'i përmendja çështjet e trafikimit, korrupsionit, ku në fund të fundit, viktima e parë është gruaja. Pra, pritet të ketë një garë shumë të fortë, një garë shumë serioze, por besoj se është e ndjeshme për shqiptarët, nga ku anon zgjedhja e tyre.

Zëri i Amerikës: Sa janë të përfshira gratë në këto zgjedhje a ka ndonjë shtim të numrit të tyre si kandidate, ndonëse emrat e kandidatëve nuk kanë dalë të gjithë akoma?

Linda Ihsani: Do të thoja se nga ana e Lidhjes Demokratike të Gruas, është bërë një punë serioze për të përzgjedhur në radhët e saj kandidaturat që mund të përqasen me kandidaturat meshkuj dhe e dyta është në mbështetjen e plotë që ne ju japim grave-anëtare në strukturat e Partisë Demokratike. Duke patur parasysh garën shumë të fortë jo vetëm brenda partisë, por duke patur parasysh që këto gra që pranojnë edhe arrijnë të zgjidhen, duhet të marrin parasysh përgjegjësitë e garës me një forcë tjetër që nuk të fal dhe këtë ne e dimë. Unë do të ndalesha në një element, që gratë e Lidhjes Demokratike synuan, tentuan, dëshiruan dhe u përpoqën të marrin pjesë në bashkitë kryesore, domethënë e pranuan sfidën për të qënë kryetare bashkie në një bashki si Shkodra dhe kjo është shumë domethënëse, në një bashki më të vogël siç është Peqini, deri në Maqellarë, një komunë shumë e thjeshtë, por që duke patur parasysh mentalitetin e vendit, një grua që e kërkon me dëshirë sfidën edhe të siguron, dhe kjo është shumë gjë e madhe. Tani duhet të kemi parasysh që edhe Partia Demokratike ka një sfidë shumë të madhe dhe sigurisht, edhe përzgjedhja këtë vit nuk do të ketë të bëjë me prova, por janë gra që do të konkurojnë me të njëjtat energji, me të njëjtin nerv, me të njëjtën dëshirë për të fituar.

Zëri i Amerikës:Në Shqipëri, debatet për politiken janë gjithmonë intensive dhe emocionale, por ajo që bie në sy, eshtë se gratë janë më fisnike se burrat në këto debate, pa u treguar aq emocionale. Cfarë mund të mësojnë ata nga ju?

Linda Ihsani: T'ju them edhe një gjë tjetër. Gratë janë fisnike edhe në shumë gjëra të tjera! Mendoj se gratë diskutojnë me shumë nerv, me shumë dëshirë. Diskutojnë, sepse mendojnë se në fund të fundit, ato preken nga politika. E shohin veten që është familja e tyre, është jeta e tyre, pasi politika dhe jeta në Shqipëri janë të ndërthurura. Dhe do të thoja se burrat kanë shumë për të mësuar nga gratë. Kanë për të mësuar se ato kanë një llogjikë më të thjeshtë, më jetësore, më me këmbë në tokë, që themi ne. Them se gruaja shqiptare kur ajo arrin të sfidojë, sfidon si një figurë me identitet, me karakter.

XS
SM
MD
LG