Lidhje

Autoritetet greke zhbllokojnë lëvizjen e emigrantëve në Kapshticë - 2003-08-08


Situata në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në juglindje të Shqipërisë filloi sot të normalizohet. Autoritetet greke zhbllokuan lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt Greqisë, e cila ishte ndërprerë prej mbasdites se djeshme.

Sipas burimeve policore shqiptare nga Kapshtica, nëpunësit grekë të kufirit kanë nisur sot në orët e para të mëngjesit të kryejnë praktikat kufitare dhe të lejojnë lëvizjen e mjeteve drejt territorit grek.

Zyrtarët grekë pohuan në një takim të zhvilluar dje në kufi me palën shqiptare, se një difekt në sistemin komjuterik të verifikimit te dokumentacionit të shtetasve që lëvizin në të dy vendet, nuk mund të lejonte vijimin e punës.

Prej orës 17 të ditës së djeshme, gjendja e lëvizjes së shqiptarëve drejt Greqisë erdhi duke u rënduar ndërsa disa qindra emigrantë dhe dhjetëra automjete e kaluan natën në kufi. Ndërkaq, si në Kakakvijë, edhe në Kapshticë, dy pikat kufitare më të rëndësishme me Greqinë, numri i emigrantëve shqiptarë që kthehen nga Greqia vazhdon të vijë duke u ulur.

Sipas policisë shqiptare, problemet në pikat e kalimit kufitar kanë krijuar panik tek emigrantët në Greqi, të cilët, ndonëse kanë marrë garanci nga qeveria greke se nuk do të gjejnë probleme, nuk po kthehen në Shqipëri për sezonin veror.

Bllokimi i shpeshtë i pikës së Kapshticës dhe kthimi i një numri jo të vogël shqiptarësh që kërkojnë të hyjnë në Greqi me dokumentacion të rregullt në pikën e Kakavijës, i kane rritur edhe më shumë shqetësimet e emigrantëve për lëvizjen në kufi.

Mosardhja e emigrantëve i ka shkaktuar probleme të rënda turizmit shqiptar dhe veçanërisht në Jug të Shqipërisë.

Ministria shqiptare e turizmit tha se këtë vit, nga pikëkalimet kufitare kishin hyrë më pak se rreth 130 mijë turistë të huaj. Pjesën dërrmuese të turistëve vitin e shkuar e përbënin emigrantët shqiptarë nga Greqia, ndërsa këtë vit vetëm nje pjesë shumë e vogël e tyre ka mundur të kthehet. // lk //

XS
SM
MD
LG