Lidhje

Shtetet e Bashkuara vënë kufizime të reja udhëtimi për pasagjerë tranzit - 2003-08-10


Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare njoftoi pezullimin e dy programeve, që lejonin udhëtarët e huaj të prisnin për të ndërruar avionë në aeroportet amerikane pa pasur nevojë për viza hyrjeje. Departamenti për Sigurinë Kombëtare bën të ditur se nga të dhënat e zbulimit del se terroristët mund të ishin duke bërë plane për t’i përdorur këto programe për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Me përjashtim të 27 vendeve, kufizimet kanë të bëjnë me udhëtarët e gjithë vendeve të tjera. Kërkesat e reja do të mbeten në fuqi, të paktën për dy muaj, gjatë të cilëve zyrtarët do t’i studiojnë ato. Udhëtarët që duhet të ndërrojnë avion në aeroportet amerikane, tani duhet të marrin vizë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Qeveria federale thotë se kufizimet do të prekin rreth 600 mijë udhëtarë nga e gjithë bota.

Sipas zyrtarëve qeveritarë rreziku i rrëmbimit të avionëve në Shtetet e Bashkuara është shtuar. Në paralajmërimet e fundit thuhet se grupe prej 5 vetash mund të përpiqen të fshehin armë nëpër pajisje elektronike, apo në lodrat e fëmijëve. Këto grupe, thuhet në këto paralajmërime, do të përpiqeshin t’i vinin aeroplanët nën kontroll para se të uleshin, ose menjëherë pasi të ngriheshin, dhe t’i përplasnin mbi objektivat e afërt.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 u kryen me aeroplanë të rrëmbyer pasi ishin ngritur nga pistat.

Udhëtarëve të prekur nga kufizimet e reja tani do t’u duhet të shkojnë në një zyrë diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të kërkuar vizë. Shoqata Amerikane e Industrisë së Udhëtimeve thotë se masat e reja të sigurimit do t’i pengojnë shumë njerëz që të vijnë në Shtetet e Bashkuara. Qeveria thotë se dëshiron t’i mbajë të hapura dyert e vendit, por duke u përpjekur në të njëjtën kohë t’i mbajë kufijt të sigurt.

Hollësi lidhur me kufizimet e reja të udhëtimit gjenden në faqen elektronike të Departamentit për Sigurinë Kombëtare. Adresa është www.dhs.gov.

Veç kësaj Departamenti për Sigurinë Kombëtare ka paralajmëruar punonjësit e aeroporteve që t’i kontrollojnë me kujdes radiot dhe pajisje të tjera elektronike. Sipas zyrtarëve në to mund të fshihen lëndë shpërthyese. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu se objekte të rëndomta mund të përmbajnë lloje të pazakonta armësh.

Sipas njoftimeve të shtypit, këtë javë administrata ka dërguar në vende të Evropës dhe të Azisë ekspertë të sigurimit për t’i paralajmëruar ato lidhur me sulme të mundshme terroriste. Zyrtarët thonë se terroristët mund të përpiqen të përdorin kundër aeroplanëve të pasagjerëve në Irak, Greqi, Turqi dhe Filipine, raketa që kërkojnë dhe godisin objekte të nxehta. Ekspertë amerikanë janë duke punuar me zyrtarë të këtyre vendeve për të shtuar masat e sigurimit përreth aeroporteve.

Zyrtarë amerikanë thonë se në Irak kërcënimi vjen nga forca besnike të ish-presidentit Sadam Husein. Kërcënimin e vendeve të tjera ata e lidhin me grupin terrorist al-Qaida. //az//

XS
SM
MD
LG