Lidhje

Celibashi: do të ishte e pafalshme të mbaheshin përsëri zgjedhje të kontestuara - 2003-08-12


Në Shqipëri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të martën listën e plotë të votuesve për zgjedhjet e pushtetit vendor që do të mbahen më 12 tetor. Të drejtën për të votuar sipas kësaj liste do ta kenë më shumë se 2 milion e 600 mijë vetë. Emrat e të gjithë votuesve janë të gatshëm për t’iu nënshtruar një procesi të dytë verifikimi. Listat do t’u shpërndahen komisioneve zonale për t’u vendosur në vende publike. Ato do të jenë lehtësisht të kontrollueshme edhe nëpërmjet internetit dhe me anë të një numri të posaçëm telefonik që do të vihet në dispozicion falas. Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve i dha një intervistë Zërit të Amerikës, në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet vendore.

Zëri i Amerikës: Zoti Celibashi, në zgjedhjet e kaluara, çështja e listës së votuesve ka shkaktuar akuza të shumta nga parti të ndryshme politike. A keni besim se lista e re e votuesve nuk do të sjellë sërish probleme?

Ilirian Celibashi: Ashtu sikurse me të drejtë edhe ju e evidentuat, faktin që lista e zgjedhësve ka qenë një nga çështjet më të debatueshme në garat e kaluara elektorale, dëshiroj të them që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke marrë në konsideratë pikërisht këtë sensibilitet që kanë patur partitë politike në lidhje me këtë çështje, i ka kushtuar mjaft vëmendje procesit përgatitor për këtë listë. Në këtë kontekst dëshiroj të them që dallimi është shumë i madh në pikëpamje sasiore dhe cilësore, në raport me dy herët e tjera të proceseve zgjedhore.

Zëri i Amerikës: Zoti Celibashi, Komisioni juaj është kritikuar në zgjedhjet e kaluara, nga opozita si dhe në raportin e ODIHR-it. Çfarë garancish jepni ju se këtë herë, vendimet e Komisionit Qendror do të jenë të drejta dhe të paanshme?

Ilirian Celibashi:Unë besoj dhe konsideroj që krahas kritikave ka pasur edhe vlerësime pozitive, sidomos në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, në lidhje me veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por kuptohet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qëndruar më tepër në atë pjesën e kritikueshme të këtij raporti ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pa dyshim një nga çështjet më prioritare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ngelet vendosja e besimit ndërmjet partive politike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sidomos partive të opozitës, sepse ne konsiderojmë që pa një besim të ndërsjelltë do të jetë shumë e vështirë për të menaxhuar një proces zgjedhor, në përputhje me standardet.

Zëri i Amerikës: Nga vëzhgimet tuaja, a mendoni se partitë politike shqiptare vijnë “më të pjekura” në këto zgjedhje se sa ne zgjedhjet e kaluara, pra sa janë në gjendje ato sot të respektojnë rregullat e lojës politike?

Ilirian Celibashi:Unë gjykoj dhe në gjykimin tim kam edhe një konsiderim të përbashkët edhe të kolegëve të mi, anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ka një vullnet më pozitiv të të gjithë spektrit politik shqiptar dhe të institucioneve të tjera shqiptare, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, Parlamenti, etj, për mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Gjykojmë që të gjithë faktorët tashmë e kanë kuptuar që do të jetë e pafalshme për Shqipërinë nëqoftëse ajo do të mbajë zgjedhje përsëri të kritikuara dhe të kontestuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Celibashi, në Shqipëri ka pasur shumë raste të njësimit të politikës me krimin e organizuar, pra kur kandidatë të caktuar, ose familjet e tyre, kanë qenë të lidhur me krimin e organizuar dhe në fakt kanë arritur që t’i blejnë zgjedhjet. Kush e vëzhgon procesin e zgjedhjeve nga ky drejtim dhe si mund të parandalohet një fenomen i tillë?

Ilirian Celibashi: Pa diskutim, çështja e financimit të zgjedhjeve përbën një nga çështjet më të rëndësishme dhe një ndër çështjet që e reflekton në mënyrë më të drejtpërdrejtë standardin dhe nivelin e zgjedhjeve. Dëshiroj të them që ka pasur një përpjekje disi ndryshe këtë radhë, për të vendosur në baza më ligjore procesin e financimit të fushatës zgjedhore, por mendoj që ndoshta edhe për faj të traditës dëshiroj të them që ka akoma vend për të përmiruar akoma në këtë proces. Unë gjykoj që një kontroll më rigoroz dhe më i plotë mbi mënyrën sesi kandidatët apo partitë politike marrin financime për fushatën zgjedhore, besoj që do të kontribuojë në mënyrë më pozitive në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Zëri i Amerikës: Zoti Celibashi, si po shkojnë përgatitjet teknike të zgjedhjeve të 12 tetorit? A janë të kualifikuar sa duhet, sipas mendimit tuaj, anëtarët e komisioneve të zonave?

Ilirian Celibashi:Pikërisht kjo e fundit ngelet një ndër çështjet më të rëndësishme në aspektin e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të këtij viti, pasi në përgjithësi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjendet në fazën përmbyllëse të këtyre përgatitjeve. Jemi në pritje të ardhjes së propozimeve për anëtarët e komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore nga partitë politike dhe KQZ-ja ka marrë të gjitha masat që menjëherë të zhvillojë procesin e trainimit të këtyre komisionerëve. Dëshirojmë të theksojmë që në dallim nga herët e tjera, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përpunuar një program trainimi të ndryshëm, të zhvilluar në edicionet zgjedhore të mëparshme dhe nëpërmjet këtyre programeve të trainimit synojmë që ta vëmë mbi baza më të shëndosha veprimtarinë e komisionerëve zgjedhorë të qeverisjes vendore.//kk//

XS
SM
MD
LG