Lidhje

A do të arrijë në kinema filmi i debatueshëm i Mel Gibson, Pasioni - 2003-08-12


Aktori dhe regjisori Mel Gibsoni, fitues i disa çmimeve të Akademisë së Arteve, ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e njerëzve. Por aktori i njohur i filmave të tillë si “Braveheart” dhe “Lethal Weapon” ndoshta nuk është mësuar me natyrën e vëmendjes që po tërheq kohët e fundit. Një numër hebrejsh me influencë dhe udhëheqësish katolikë, kohët e fundit kanë shprehur shqetësim lidhur me një film të Mel Gibsonit, i cili pritet të shfaqet muajt e ardhshëm.

Filmi titullohet “Pasioni” dhe në të flitet për orët e fundit të jetës së Jezu Krishtit. Të krishterët mendojnë se figura qendrore e fesë së tyre, para se ta kryqëzonin, vuajti tortura të mëdha fizike dhe emocionale dhe dramatizimet e torturës së tij, kanë një traditë të gjatë në fenë e krishterë.

Filmi i Mel Gibsonit do t’i shtohet listës së të ashtuquajturave “Drama të pasionit”, të shekullit të 13, kur të krishterët filluan të shfaqin një interes të veçantë në cilësitë njerëzore të shpëtimtarit të tyre. Shekulli i 13-të, gjithashtu ishte një periudhë e rritjes së lëvizjes anti-semite dhe për qindra vjet me radhë, antipatia ndaj hebrejve pasqyrohej në shkrimet e fesë së krishterë, të cilat u njohën me titullin “Drama të pasionit”. Kjo është arsyeja, përse organizata hebraike e të drejtave civile, “Lidhja kundër Shpifjeve”, shprehu shqetësim në lidhje me filmin e Mel Gibsonit. Ken Jacobson, nënkryetar i shoqatës, thotë se një kopje e skenarit të filmit ra në duart e anëtarëve të e organizatës së tij. "Në skenar dilte sikur hebrejtë patën rol më të madh në kryqëzimin e Krishtit, nga sa patën në fakt, romakët" thote zoti Jacobson.

Është fjala për rolin e hebrejve, jo vetëm në ekzekutimin e Krishtit, por edhe në plagosjen dhe poshtërimin e tij para vdekjes. Për shekuj me radhë, Kisha Katolike ishte e mendimit se hebrejtë ishin pjesërisht përgjegjës për kryqëzimin e Krishtit. Ky interpretim u hodh poshtë nga Vatikani në mesin e viteve ’60, me të ashtuquajturin Këshilli i Dytë i Vatikanit, duke i hapur kështu rrugën pajtimit mes hebrejve dhe katolikëve. Por, megjithatë, jo të gjithë katolikët ishin dakord me vendimin e Këshillit të Vatikanit. Një fraksion i quajtur Katolikët Tradicionalistë, anëtar i të ccilëve është edhe aktori i njohur Mel Gibson janë kundër reformës së Vatikanit. Edhe i ati i Mel Gibsonit, Hutton Gibson, është një prej kundërshtarëve të Këshillit të Dytë të Vatikanit dhe ka shkruar edhe një libër, ku ka shprehur pikëpamjet e tij. Po ashtu, në një intervistë për gazetën New York Times, Hutton Gibson gjithashtu mohoi se gjatë Holokaustit, mund të ishin vrarë rreth 6 milionë hebrej.

Pikërisht për shkak të kësaj deklarate, Konferenca Amerikane e Peshkopëve Katolikë, i kërkoi një grupi studjuesish të rishikojnë skenarin e filmit të Mel Gibsonit. Studjuesit shprehën shqetësim, se në skenar ekzagjerohet roli i hebrejve në vdekjen e Jezu Krishtit dhe se atje shkelen mësimet katolike në lidhje me të këtë subjekt. Por, në një deklaratë për publikun, aktori dhe regjisori Mel Gibson këmbëngul se filmi i tij nuk shpreh pikpamje anti-semite, dhe se sipas fjalëve të tij, ”anti-semitizmi është në kundërshtim me thelbin e mesazhit të tij në film”. Gibson thotë se filmi i tij ka për qëllim të frymëzojë, dhe jo të ofendojë.

“Lidhja kundër Shpifjeve” kërkoi ta shihte paraprakisht filmin e Mel Gibsonit, për të parë në se ata mendojnë se versioni përfundimtar i tij është problematik, ashtu sikurse skenari paraprak. Ndërkohë, filmi “Pasioni”, vazhdon të tërheqë një numër të madh përkrahësish dhe kritikësh, madje që para shfaqjes së tij për publikun.

//rd//

XS
SM
MD
LG