Lidhje

Populli irakian ka nevojë për rimëkëmbje morale - 2003-08-12


Populli i Irakut, i çliruar nga shtypja e Sadam Huseinit, po fillon të rindërtojë vendin e tij. Detyra është shumë e madhe. “ Ajo për të cilën ka nevojë Iraku nuk është rindërtimi, por rimëkëmbja morale pas 35 vjet shpërdorimi me paramendim të burimeve irakiane”, -ka thënë Zëvendës-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pol Uolfouic.

Sadam Huseini i harxhonte pasuritë e Irakut për të ndërtuar pallate për vete, dhoma torturash dhe për të prodhuar sasi të mëdha armësh të çdo lloji. Relativisht pak ka qenë shpenzuar për shtëpi, spitale, shkolla, industrinë civile dhe infrastrukturën ekonomike për popullin irakian.

Kjo bie në sy në mënyrë të veçantë në rajonet jugore dhe veriore të Irakut, të cilat diktatori i konsideronte si jo-besnike ndaj sundimit të tij shtypës.

Veç grabitjes së vendit, Sadam Huseini ka lënë një trashëgimi frike. Dhjetëra mijëra burra, gra dhe fëmijë irakianë janë vrarë nga forcat e tij të sigurimit. Disa nga këta vrasës vazhdojnë akoma të kryejnë sulme të herëpashershme ndaj forcave të koalicionit, ose qytetarëve irakianë.

Terroristë të Partisë Baath po përpiqen të mos i lejojnë irakianët që të ndërtojnë një vend të lirë, të begatë e demokratik. Për të çrrënjosur këtë kërcënim, Iraku ka nevojë urgjente për të patur forcat e tij të sigurimit, thotë zoti Uolfouic:

“ Neve nuk na duhen trupa të tjera amerikane. Na duhen trupa ndërkombëtare. Na duhet një zbulim aktiv. Por na duhen po ashtu më shumë irakianë që të luftojnë përkrah nesh. Populli irakian është pjesë e koalicionit dhe ai duhet të stërvitet e të armatoset, për të marrë pjesë në përpjekjet tona.

Zoti Uolfouic tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët që bëjnë pjesë në koalicion, janë duke punuar me irakianët për të përballuar nevojat e vendit në fushën e sigurimit.

“ Ne,- thotë zoti Uolfouic,- kemi filluar rekrutimin dhe stërvitjet për një ushtri kombëtare dhe do të fillojmë rekrutimin dhe stërvitjet për një forcë civile të mbrojtjes. Kjo forcë mund të marrë përsipër disa detyra të rëndësishme që kryhen nga forcat tona, si për shëmbull ruajtja e disa qendrave të caktuara dhe e linjave të tensionit të lartë.

Populli i lirë i Irakut mund të bëhet më së fundi garant i vetë sigurimit të tij. Dhe, siç ka thënë presidenti George W. Bush, “Populli i Irakut mund t’i japë një shembull shpresëdhënës mbarë rajonit dhe të nxisë vende të tjera që të përqafojnë rrugën e lirisë.”// lk //

XS
SM
MD
LG