Lidhje

Projekt-deklarata e qeverisë serbe shkakton reagime në Kosovë - 2003-08-12


Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, tha sot se pavarësia e Kosovës nuk varet nga ajo se çfarë thonë fqinjët, por nga puna që bëjnë institucionet e saj. Në këtë mënyrë ai komentoi paralajmërimet e autoriteteve serbe për miratimin edhe nga Parlamenti i Serbisë të një deklarate, për siç thuhet, sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, pavarësisht nga administrimi ndërkombëtarë dhe vënien e Kosovës në Kushtetutën e Serbisë si pjesë përbërëse të saj. Zoti Daci tha se Parlamenti i Kosovës është përcaktuar qartë se është i gatshëm për bisedime me Beogradin, ndërsa veprimet e autoriteteve të atjeshme nuk do të mund të paragjykojnë zgjidhjen e statusit politik të Kosovës në pajtim me vullnetin e qytetarëve të saj. “Pavarësia e Kosovës, nuk varet nga ajo se çka thonë fqinjtë, por varet nga puna që e bëjnë institucionet, dhe nga aftësia për ta udhëhequr popullin e Kosovës, në liri të plotë, në një demokraci të plotë në një ekonomi të tregut”, tha ai.

Zoti Daci tha se institucionet e Kosovës, aktualisht janë duke punuar për të siguruar përkrahje ndërkombëtare, në përpjekjet për përmbushjen e synimeve të tyre. “Ne po u japim çdo ditë parlamenteve të Evropës, Kongresit Amerikan dhe botës, argumente, që ne po punojmë për standardet për t’u inkuadruar në Bashkimin Evropian, jo standarde tjera dhe mund t’ju them me përgjegjësi, se atë që është shkruar në rrugën time dhe strategjinë time nuk ka asnjë vonesë dhe në këtë përkrahja është vazhdimisht në rritje e bashkësisë ndërkombëtare”, nënvizoi zoti Daci.

Deklarata e qeverisë serbe, që pritet të miratohet në shtator edhe nga Parlamenti i Serbisë, si dhe paralajmërimet se Kosova do të vihet në Kushtetutën e saj, kanë vënë në diskutim edhe mundësinë e hapjes apo jo të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të dyanshëm, të paralajmëruara për vjeshtën e këtij viti. Përfaqësuesit politik të shqiptarëve, pohojnë se veprimet e autoriteteteve serbe, dëmtojnë proceset pozitive politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara ndërkaq, thanë sot shkurtazi, se statusi i Kosovës, nuk do të vendoset as nga Prishtina e as nga Beogradi, ndërsa vendimi i këtij të fundit për ta vënë Kosovën në Kushtetutën e Serbisë dhe dokumente të tjera, nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në statusin përfundimtar të Kosovës.

//rd//

XS
SM
MD
LG