Lidhje

FBI-ja arreston 3 të dyshuar për kontrabandë raketash - 2003-08-13


Byroja Federale e Hetimeve arrestoi 3 persona nën dyshimet për pjesëmarrje në një komplot për të futur kontrabandë në Shtetet e Bashkuara raketa tokë-ajër. Autoritetet ndaluan dje një tregëtar britanik armësh në Newark të shtetit New Jersey gjatë një operacioni ndërkombëtar me pjesëmarrjen e agjentëve britanikë, rusë dhe amerikanë.

Dy persona të tjerë, të akuzuar për pjesëmarrje në komplot u arrestuan në New York. Thuhet se tregëtari britanik bleu një raketë-hedhëse të sofistikuar në Rusi dhe ia shiti atë agjentëve amerikanë, të cilët luajtën rolin e terroristëve.

Raketa-hedhëse u çmontua dhe u dërgua në Shtetet e Bashkuara nën mbikqyrjen e autoriteteve federale. Të tre të dyshuarit pritet të dalin sot para një gjykate federale në Newrak.

Zyrtarët e ruajtjes së rendit e cilësuan njërin prej të arrestuarve me kombësi britanike, por me prejardhje indiane. Për dy të tjerët u tha se ishin afganë. Emrat e tyre nuk u bënë të ditur. Thuhet se personi britanik u mundua të fuste kontrabandë në Shtetet e Bashkuara një raketë tokë-ajër të prodhimit rus.

Zyrtarët thonë se ai është tregëtar armësh dhe nuk duket të ketë lidhje me ndonjë grup terrorist. Megjithatë ata thanë se ai mund të synonte ta shiste armën në Shtetet e Bashkuara për qëllime terroriste.

Thuhet se personat afganë u ndërlikuan në transferimin e parave të fituara nga shitja. Autoritetet thonë se arrestimet nuk kishin lidhje me ndonjë kërcënim të veçantë terrorist.

Në nëntor të vitit të kaluar, terroristë që mendohet të kenë pasur lidhje me rrjetin terrorist Al-Kaida, përdorën raketa të ngjashme gjatë një sulmi, që dështoi, për të sulmuar një aeroplan izraelit, ndërkohë që ai nisej nga Mombasa e Kenias.

Agjentë të FBI-së, britanikë dhe rusë organizuan operacionin ndërkombëtar, që çoi në 3 arrestimet. Zyrtarë të Byrosë Federale amerikane të Hetimeve nuk ishin të disponueshëm për komente.

//ze//

XS
SM
MD
LG