Lidhje

Prokurori i Përgjithshëm Sollaku: një nga sfidat kryesore në Shqipëri lufta kundër pastrimit të parave - 2003-08-13


Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Theodhori Sollaku ndodhet në Washington ku po merr pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve. Një nga temat kryesore të takimit këtë vit është lufta kundër terrorizmit. Shqipëria është një nga vendet që ka bashkëpunuar ngushtë në luftën globale kundër terrorizmit dhe një numër ekstremistësh myslimanë të dyshuar për lidhje me rrjetet terroriste janë ekstraduar në vende të tjera. Por Shqipëria ndeshet me probleme serioze në planin e brendshëm, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, që sipas kritikëve kanë marrë përmasa të mëdha. Sa i vendosur dhe i aftë është vendi për t’i luftuar këto probleme? A janë bërë rrjetet kriminale tepër të forta dhe të organizuara për shtetin? Rreth këtyre shqetësimeve, Zëri i Amerikës i mori një intervistë Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku.

Zëri i Amerikës: Zoti Sollaku, një grup kriminal që është marrë me trafikun njerëzor u dënua të martën në Belgjikë. A ka patur ndonjë rol pala shqiptare në kapjen dhe dënimin e këtij grupi?

Theodhori Sollaku: Jam në dijeni të investigimeve që ka bërë pala belge lidhur me këtë rast. Ai është një hetim që është shtrirë në kohë dhe natyrisht edhe prokuroria shqiptare, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Evropiane për Ndihmë të Ndërsjelltë Juridike, ka bashkëpunuar me autoritetet belge për të analizuar dhe për të hetuar në mënyrë objektive rastin që ju përmendët. Hollësi, nuk di sepse çështjet kryesore janë hetuar në Belgjikë, por çfarë është kërkuar nga autoritetet belge, ne kemi qenë të gatshëm për t’ua vënë në dispozicion me qëllim që rrjetet kriminale, kudo që ato e ushtrojnë veprimtarinë e tyre, të ndëshkohen si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Pala belge thotë se ky grup kriminelësh shqiptarë ka patur përfitime shumë të mëdha, disa dhjetra miliona dollarë dhe disa nga këto fonde janë investuar në ekonominë shqiptare. Çfarë masash mund të marrë prokuroria për ta zgjidhur këtë problem, për ta zbardhur këtë problem?

Theodhori Sollaku: Ne operojmë mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga shteti shqiptar, të cilat janë pjesë përbërëse e legjislacionit të brendshëm. Mbasi vendimi i gjykatës belge të marrë formë të prerë, atëherë pala belge ka detyrimin për të na vënë në dispozicion gjithçka që ata pretendojnë se është kriminale. Nga ana jonë ne do të zbtaojmë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga këto konventa dhe nga legjislacioni i brendshëm, deri në sekuestrimin e pasurive të personave për të cilët provohet që këto pasuri kanë ardhur nga veprimtari kriminale. Kjo është e padiskutueshme dhe nuk ka asnjë moment për t’u diskutuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Sollaku, a mund të merremi pak me konferencën ku po merrni pjesë ju këtu në Washington? Cilat janë përshtypjet tuaja nga ajo konferencë dhe çfarë roli po luan Shqipëria?

Theodhori Sollaku: Në krye të një delegacioni të Prokurorisë Shqiptare, jam këtu prej disa ditësh në Kongresin e Tetë të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve. Çështja është shumë interesante dhe me interes për të gjitha vendet: terrorizmi, një sfidë që duhet përballuar nga të gjitha vendet, të cilat preken direkt apo indirekt nga ky rrezik i madh për njerëzimin. Kemi diskutuar dhe kemi dhënë eksperiencën tonë dhe kontributin tonë në luftë kundër fenomenit të terrorizmit. Duhet patur parasysh, që me të drejtë u ngrit në konferencë, se nuk duhet t’i mëshojmë vetëm momentit kur veprimet terroriste duken, por duhet të merremi që me fillesat e saj, siç janë krimi i organizuar, trafiqet, falsifikimi i pasaportave, i vizave dhe i një sërë veprash të tjera, që direkt ose indirekt, i shërbejnë rrjeteve terroriste.

Zëri i Amerikës: Në një raport që keni paraqitur në parlamentin shqiptar para disa kohësh, ju me sa mbaj mend, keni thënë se krimi i organizuar po sfidon shtetin. Sa e shtrirë është lidhja e krimit të organizuar me politikën, me ekonominë shqiptare?

Theodhori Sollaku:Duhet sqaruar një moment këtu, që Shqipëria nuk është “delja e zezë” e Ballkani, apo e Evropës Juglindore. Gjatë këtyre dy ditëve unë pata një axhendë shumë të ngjeshur takimesh, si në Departamentin e Shtetit, ashtu edhe atë të Drejtësisë. Të dyja palët konfirmuan arritjet që po bën Shqipëria në këtë drejtim. Bile shumë zyrtarë të lartë më konfirmuan se shumë gjëra që ne i përmendim, i themi, sepse duam që Shqipëria nga vendi i dytë, ku është në listën e vendeve, të renditet në vendin e parë. Dhe janë një sërë hapash që qeveria shqiptare, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, duhet të ndërmarrë për të arritur këtë qëllim. Përvoja pozitive arritur gjatë këtyre viteve, u konfirmua edhe në finalizimin e këtyre takimeve që u zhvillua dje me delegacionin e Departamentit të Drejtësisë, të kryesuar nga numri 1 i ndjekjes penale në Amerikës, zoti Kristofer Rei, në të cilën u vunë në dukje arritjet që ne kemi zhvilluar, sidomos këto dy vitet e fundit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Eshtë fakt që sot trafikët nga deti pothuajse kanë vajtur në nivelin zero. Ka probleme të penetrimit, nëpërmjet vizave që merren nëpër ambasadat e huaja, çka del detyrë e autoriteteve shtetërore, policore për një kontroll më të mirë të kufijve, me qëllim që raste si ai që përmendët i Belgjikës, në të ardhmen të minimizohen.

Zëri i Amerikës: Zoti Sollaku, cilat janë sfidat kryesore për zyrën tuaj?

Theodhori Sollaku: Sfidat kryesore që përballet Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme dhe shteti shqiptar në tërësi, janë ato që përmendët: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në formën e trafiqeve të qenieve njerëzore dhe narkotikëve. Siç e përmenda për dy vjet Shqipëria ka vënë në bankën e të akuzuarve shumë persona që kryejnë veprimtari kriminale të kësaj natyre, të cilat ne i vlerësojmë që janë të rrezikshme dhe duhen ndëshkuar që në hapat e para të tyre, me qëllim që nesër të mos bëhen rrezik për shtetin ligjor, për demokracinë në Shqipëri. Sfidë tjetër është problemi luftës kundër pastrimit të parave. Kemi një situatë anormale, do të thoshim në Shqipëri. Pavarësisht se veprimtaritë kriminale, trafiqet, tregjet e drogës dhe të seksit, zhvillohen jashtë Shqipërisë, paratë që rrjedhin nga këto veprimtari investohen në Shqipëri. Natyrisht shteti shqiptar, prokuroria nuk do të lejojë që kjo të shërbejë si një bazë e fortë ekonomike, që këto të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Pra jemi përballë një sfide që më tepër kërkon vendimmarrje politike, se ç’duhet bërë me këto asete, me këto veprimtari, të cilat nga njëra anë janë pasuri kombëtare, pavarësisht nga burimi i tyre, nga ana tjetër pas tyre qëndrojnë njerëz që shteti ka për detyrë t’i bëjë sa më pak të rrezikshëm për ndërtimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. Pra është një sfidë që kërkon në radhë të parë një vendimmarrje politike për të zgjidhur këtë kontradiktë që ekziston në shtetin shqiptar sot.

Zëri i Amerikës: A ekziston sot vullneti politik në Shqipëri për një luftë të tillë?

Theodhori Sollaku: Unë mendoj se vullneti politik ekziston, por ndoshta ka nevojë për shpejtësinë e reformave. Ky është një moment që nuk mjafton vetëm të kesh dëshirën, por duhen edhe njerëz që të jenë të motivuar, njerëz që dinë t’i implementojnë këto reforma. Por gjithsesi unë do të thosha që gjërat po ecin në drejtimin e duhur, ka përmirësime dhe mua më erdhi mirë që nivelet më të larta të Departamentit të Shtetit, të Departamentit të Drejtësisë e konfirmuan një gjë të tillë, bile përvoja shqiptare, u konfirmua disa herë, në ngritjen e strukturave, për të luftuar krimin e organizuar, për të bllokuar trafiqet, do të implementohet në 22 vende të tjera, të cilat Shtetet e Bashkuara kanë interes që ato të hyjnë në rrugën e demokracisë dhe shtetit ligjor.

XS
SM
MD
LG