Lidhje

Trupat amerikane hyjnë në kryeqytetin liberian - 2003-08-14


Në Liberi, pasi morën nën kontroll portin e rëndësishëm të Monrovias, paqeruajtësit afrikano-perëndimorë të mbështetur nga një kontingjent i vogël marinsash amerikanë, hynë sot në territorin e kryeqytetit liberian që kontrollohej nga kryengritësit.

Pas një ceremonie të shkurtër të organizuar mbi një urë që lidh terrotorin e kryengritësve me zonat e kryeqytetit nën kontrollin e qeverisë, kryengritësit u tërhoqën nga porti.

Ambasadori amerikan në Liberi, John Blaney, dhe komandanti i forcës paqeruajtëse, gjenerali Festus Okonkuo, ishin të pranishëm kur kryengritësit u tërhoqën zyrtarisht nga Friporti. Mijëra banorë ishin mbledhur në të dyja anët e urës për të ndjekur ceremoninë.

Paqeruejtësit do ta hapin portin për të bërë të mundur arritjen e ndihmave të nevojshme humanitare.

Rreth 200 ushtarë të tjerë amerikanë, shumica marinsa, arritën sot me helikopterë në Monrovia për të ndihmuar paqeruajtësit. Ata do të ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë së portit, me qëllim që të bëhet i mundur ankorimi i anijeve me ndihma ushqimore dhe mjekësore.

Kryengritësit e grupit Liberianët e Bashkuar për Pajtim dhe Demokraci pranuan të largohen nga porti i Monrovias, të cilin ata e mbanin që nga muaji qershor, duke u mohuar banorëve të pjesës tjetër të qytetin marrjen e ndihmave humanitare.

Në Gana, presidenti i përkohshëm, Moses Blah, hapi bisedimet e paqes me përfaqësuesit e dy grupeve kryengritëse, Lurd dhe Modell. Bisedimet e paqes u bllokuan para disa javësh gjatë luftimeve më të ashpra në kryeqytetin Monrovia dhe zonat përreth.

//rd//

XS
SM
MD
LG