Lidhje

Partitë politike shqiptare në Mal të Zi dënojnë projekt-kushtetutën e Unionit Serbi-Mali i Zi ku Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë - 2003-08-16


Partitë politike shqiptare në Mal të Zi kundërshtojnë ashpër dokumentin e qeverisë serbe, i cili trajton Kosovën si pjesë të Sërbisë. Ata mbështësin vendimin e Ministrit të Mbrojtjes, Pandeli Majko, dhe vlerësojnë se edhe zyrtarët tjerë shqiptarë duhet të mbajnë një qendrim të tillë ndaj problemit të Kosovës.

Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe deputeti në parlamentin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha, i tha Zërit të Amerikës se politika e Beogradit ka mbetur e pandryshuar, kur është në diskutim çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve, në përgjithësi. ”Kjo është arsyeja, shtoi ai, që u tërhoqa nga Komisioni për hartimin e Kartës Kushtetuese të Bashkimit shtëtëror Serbi-Mali i Zi”. Zoti Dinosha tha se ”kjo nuk është e re dhe këtë tëndencë e vërejta kur isha anëtar i Komisionit për hartimin e Kartës Kushtëtuese të Unionit”.

Zoti Dinosha mbështeti qëndrimin e Ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pandeli Majko, për ta refuzuar pjesëmarrjen në tryezën rajonale dhe vlerësoi se edhe zyrtarë të tjerë shqiptarë duhet të mbajnë një qendrim të ngjashëm ndaj problemit të Kosovës. Ai tha se qëndrimi i zotit Majko ”është i pëlqyeshëm dhe se edhe zyrtarë të tjerë shqiptarë,qofshin ata të shtetit amë apo të mjediseve tjera mbarëshqiptare duhet të tregojnë me qëndrime konkrete një qasje të tillë ndaj problemit të Kosovës”.

Zëdhënësi i Partisë së Prosperitetit Demokratik, Muhamet Nikaj, vlerëson se ”një absurditet i tillë nga ana e Beogradit tregon se politika serbe ende nuk është çliruar nga emocionet e së kaluarës dhe të ëndërrave të vjetra”. Ai tha se ”kjo është një dëshirë iracionale e Serbisë”, e cila sinjalizon se politika serbe ende nuk është çliruar prej emocioneve të dikurshme dhe, shikuar në këtë kuadër, ata vazhdojnë me ëndërrat e vjetra”. Zoti Nikaj vlerëson se fati i Kosovës do të vendoset nga populli i Kosovës dhe ”sipas parametrave që i parasheh bashkësia ndërkombëtare”.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi tha se pas asaj që ka ndodhur në Kosovë, nuk ka ndonjë ”forcë që atë ta mbajë nën Serbi” dhe se, sipas tij, deklarata e Beogradit për ta rimarrë Kosovën nën kontrollin e tij është një ëndërr joreale e Serbisë. Zoti Bardhi tha se për statusin e Kosovës mund të vendosë populli i saj në bazë të parimeve demokratike. //az//

XS
SM
MD
LG