Lidhje

77 vjetori i lindjes së Kastros nuk është arsye për të festuar - 2003-08-16


Për 44 vjet kastroja ka sjellur vetëm shtypje për popullin e vetë.Diktatori kuban, Fidel Castro po feston 77 vjetorin e lindjes, por kjo nuk është arsye për të festuar.

Nuk mund të ketë festime përsa kohë që ekonomia kubane vazhdon të tatëpjetën. Nuk mund të ketë festime përsa kohë që Castro vazhdon të burgosë qytetarë, krimi i vetëm i të cilëve është se bëjnë thirrje për liri dhe demokraci. Dhe nuk mund të festohet përsa kohë që qeveria kubane vazhdon të shkelë të drejtat themelore të popullit kuban.

Për 44 vjet, mbretëria totalitariste e Castros ka sjellë vetëm shtypje dhe privacione për qytetarët kubanë. Siç i tha Zërit të Amerikës, Hans De Salas Del Valle, studiues në Institutin e Studimeve Kubane në Universitetin e Majamit, shumë kubanezë janë të stërmunduar nga beteja e përditshme për të mbijetuar.

“Ata nuk mund të varen më tek qeveria për të ushqyer familjet e tyre. Racionet e ushqimit që jep qeveria mjaftojnë vetëm për shtatë deri në dhjetë ditë në muaj. Shumë kubanë mbijetojnë me një shumë pesosh të barazvlefshme me 10 dollarë në muaj. Dhe tani mallrat më të nevojshme shiten vetëm me dollarë amerikanë”.

Fidel Castro tha në një fjalim të kohëve të fundit: “pavarësisht nga pengesat e jashtëzakonshme, ne po ndërtojmë shoqëri të re dhe më njerëzore me më shumë përvojë, entuziazëm, forcë dhe ëndrra, se kurrë më parë”. Por zoti Del Valle thotë se shumë qytetarë kubanë, veçanërisht të rinjtë thjesht kanë hequr dorë nga Castro dhe revolucioni i tij marksist.

“Përqindjet e futjes në universitete kanë rënë pothuajse me 50 për qind që nga viti 1989, kur u ndërprenë subvencionet sovjetike. Kuba me të vërtetë po humb të ardhmen, brezin e ri, që ose po përpiqet të fitojë ndonjë para nga turistët, në vend që të ndjekë universitetet, ose vë në rrezik jetën duke lundruar në ngushticat e Floridës për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara”.

Ndërsa Fidel Castro feston 77 vjetorin e lindjes, ai duhet të reflektojë mbi këtë realitet: për 44 vjet, siç ka thënë Presidenti Bush, populli kuban “ka vuajtur nën një tiran që përdor metoda brutale për të imponuar një vizion të dështuar”. Kjo trashëgimi e trishtueshme nuk të lë shkas për të festuar. //ss//

XS
SM
MD
LG