Lidhje

Rruga drejt demokracisë është e vështirë, por dëshira për liri kapërcen kufijt e racës, fesë dhe kulturës - 2003-08-17


Kanë kaluar thuajse dy vjet qëkurse terroristë të al-Qaidës goditën Qendrën e Tregtisë Botërore dhe Pentagonin, duke vrarë më se 3 mijë veta nga rreth 90 vende të botës. Këshilltarja për Çështjet e Sigurimit Kombëtar, Condoleeza Rice, thotë se pas këtyre sulmeve, Shtetet e Bashkuara vendosën ta çojnë luftën tek vetë terroristët.

“Ne e kuptuam se për ta fituar luftën kundër terrorizmit, duhet të fitonim luftën e ideve, duke iu drejtuar shpresave të njerëzve të arsyeshëm kudo në botë, duke ndihmuar për t’u dhënë atyre mundësinë për një jetë më të mirë e një të ardhme më të ndritur, si edhe arsyen për të flakur tej ndjenjat e sëmura e shkatërrimtare të zemërimit, dëshpërimit dhe urrejtjes.”

Në luftën kundër terrorizmit janë arritur tashmë disa fitore vendimtare. Regjimi Taleban i Afganistanit, që sponsorizonte al-Qaidën, u shkatërrua nga koalicioni i udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara në bashkëpunim me forcat e rezistencës afgane. Condoleeza Rice thotë se përmbysja e regjimit të Sadam Huseinit ishte një tjetër goditje për terrorizmin dhe ekstremizmin.

“Hap pas hapi, në Irak jeta po normalizohet, shërbimet publike po rivendosen, në disa raste përtej niveleve të paraluftës dhe ekonomia po rigjallërohet. Në këtë vend, ku vetëm disa muaj më parë, disidenca dënohej me vdekje, tani ka mbi 150 gazeta që konkurrojnë në një treg të ri idesh.”

Këshilltarja për Çështjet e Sigurimit Kombëtar, Condoleeza Rice, thotë se përparimi drejt paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve është një tjetër tregues, që dallga tani është kthyer kundër terrorizmit.

“Ka dalë një udhëheqje e re palestineze, e cila e kupton dhe e thotë si në arabisht edhe në anglisht, se terrori nuk është rruga që çon në krijimin e shtetit palestinez, por përkundrazi një pengesë në këtë drejtim. Presidenti Bush mendon se palestinezët, sikurse çdo popull në botë, meritojnë institucione demokratike me udhëheqës të ndershëm, që u shërbejnë vërtet interesave të popullit të tyre.”

Rruga për në demokraci është e vështirë, por dëshira për liri kapërcen kufijt e racës, fesë dhe kulturës. Popujt e Lindjes së Mesme nuk bëjnë përjashtim nga kjo dëshirë.

//ze//

XS
SM
MD
LG