Lidhje

AKSH hedh poshtë deklaratat e zyrtarëve serbë - 2003-08-17


Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH), organizatë e cila thotë se lufton për bashkimin e trojeve shqiptare, hodhi poshtë çdo lidhje me Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Në një komunikatë për opinion, të botuar në një faqe interneti, ajo mohoi pohimet e zëvednëskryeministrit serb, Nebojsha Coviç, sipas të cilit, “prapa AKSH-së, qëndrojnë pjestarët e TMK-së”. Ai i ka bërë këto komente pas incidentit të fundit në luginën e Preshevës, ku, sipas qeveritarëve serbë, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri duke dëmtuar postbllokun e policisë në fshatin Konçul të komunës së Bujanocit, dikur, çerdhe e kryengritësve shqiptarë. Armata Kombëtare Shqiptare, e cila është shpallur terroriste me një vendim të posaçëm të Misionit të Kombeve të Bashkuara në muajin prill të këtij viti, nëpërmjet një komunikate, thotë se ka pasur shkëmbim zjarri ndërmjet patrullave të saj dhe atyre të policisë serbe në fshatin Konçul.

Mirëpo, thuhet në komunikatë, “AKSH, jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje dhe komunikim me TMK-në, por edhe rrugët e tyre janë të ndryshme. Këtë gjë më mirë se kushdo e kanë të qartë forcat e KFOR-t dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara, të cilat i kanë hetuar prej kohësh këto pretendime dhe i kanë hedhur poshtë si të pabazuara”, thuhet në komunikatën e Armatës Kombëtare Shqiptare.

Zëvendëskryeministri serb ka paralajmëruar se këtë çështje do ta shtrojë për diskutim edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shaip Kamberi, kryetar i Këshillit për Mbroijtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Luginën e Preshevës, thotë se deklaratat e zëvendëskryeministrit serb, Nebojsha Coviç, janë pasqyrë e retorikës së zakonshme në rastet kur ndodhin incidente në këtë rajon. “Sa herë që nuk u ecin punët mirë, posaçërisht në drejtim të realizimit të aspiratave të tyre ndaj Kosovës, atëherë ata përdorin një fushatë të egër mediale kundër shqiptarëve, në përgjithësi, e, posaçërisht, kundër institucioneve të ligjshme të krijuara në Kosovë e shpeshherë edhe vetë Luginën e Preshevës.

Pretendimet u hodhën poshtë edhe nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Zëdhënësi i tyre, Enver Dugolli, tha se këto janë përpjekje për të dëmtuar institucionin e TMK-së, e cila është e mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare. “TMK-ja nuk ka asgjë të përbashkët me veprimet e AKSH-së. TMK është institucion i të gjithë qytetarëve të Kosovës, një institucion legal dhe akuza të tilla dëmtojnë proceset që zhvillohen në Kosovë, por gjithashtu dëmtojnë edhe nismën e minoritarëve serbë në që të inkuadrohen në TMK”.

Tash për tash, vlerësimet e tilla nuk janë komentuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara apo forcat paqeruajtëse. Deri tash, ato janë shprehur të kënaqura me bashkëpunimin e Trupave Mbrojtëse në funksion të çlirimit të saj nga elemente, siç thuhet kriminale, që mund të kenë lidhje me organizata të paligjshme. //az//

XS
SM
MD
LG