Lidhje

Kosovë: Kryeministri Rexhepi i shkruan letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së - 2003-08-18


Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mblidhet sonte, për të diskutuar gjendjen në Kosovë, me kërkesë të autoriteteve të Beogradit

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i bëri thirrje sonte Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, dhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, që të shqyrtojnë serizosht veprimet e fundit të Beogradit ndaj Kosovës. Në një letër të gjatë, kryeministri Rexhepi, thekson, se fushata e Beogradit për përfshirjen e Kosovës në Kushtetutën e Serbisë, është sforcuar pas ngjarjes tragike të së mërkurës në Kosovën Perëndimore ku u vranë dy dhe u plagosën disa pjestarë të komunitetit serb.

Kryeministri Rexhepi ka shprehur shqetësim me mënyrën se si e ka shfrytëzuar Beogradi këtë tragjedi, për të dëmtuar punën e përbashkët të Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Institucioneve të Kosovës. Ai thekson se një nga veprimet e tilla të Beogradit, është edhe kërkesa për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të paraqitur vetëm një pjesë të historisë.

Këshilli i Sigurimit thuhet në letër, duke e patur Kosovën nën administrimin e tij, mund ta ftojë për të raportuar në çdo kohë të dërguarin e tij në Kosovë, mirëpo duke i dhënë vend të pakufizuar Serbisë dhe posacërisht zëvendëskryeministrit serb Nebojsha Çoviç, vetëm mund të përkeqësohen gjërat dhe të shtohet shqetësimi i qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Rexhepi ka përshkruar në letrën e tij të gjitha përpjekjet që kanë bërë institucionet e Kosovës për përmirësimin e gjendjes së pakicave kombëtare dhe posaçërisht të asaj serbe në Kosovë. Kryeministri shfaqi shpresën se zoti Annan dhe amabasadorët e Këshillit të Sigurimit do të shqyrtojnë seriozisht veprimet e Beogradit dhe do të përdorin të gjitha mundësitë për ndalimin e tyre, meqë veprime të tilla bien ndesh me synimet e institucioneve të Kosovës, qytetarëve të saj, por edhe pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Në fund të letrës, kryeministri Rexhepi shfaq shpresën se nuk do të lejohet që Beogradi të shfrytëzojë Këshillin e Sigurimit si mjet për ”fjalorin e tij destruktiv".

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mblidhet sonte për të diskutuar gjendjen në Kosovë, me kërkesë të autoriteteve të Beogradit.

Presidenti Rugova dënon incidentet e fundit në Graçanicë dhe Mitrovicë

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, dënoi sot shpërthimet e fundjavës në qytetin e Mitrovicës, si dhe incidentet në fshatin Graçanicë, rreth 6 kilometra në lindje të Prishtinës ku gjatë dy ditëve të fundit janë shënuar raste të dhunës ndaj udhëtarëve shqiptarë.

Gjatë natës grupe banorësh kanë sulmuar disa automjete me udhëtarë shqiptarë duke ushtruar dhunë ndaj tyre, mirëpo tash për tash nuk dihet numri i të palgosurvëe. Një natë më parë, pesë shqiptarë morën plagë të rënda, kur një grup serbësh sulmoi automjetin e tyre në këtë fshat, por deri tani nuk ka patur asnjë të arrestuar.

Për katër ditë me radhë, në pjesën veriore të Mitrovicës ka patur shpërthime bombash në zonat e banuara me shqiptarë, në këtë pjesë ku shumicë është popullata serbe.

Në një komunikatë për opinion presidenti Rugova kërkon nga autoritetet zbatimin e ligjit, hetimin e këtyre incidenteve dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë. Njëherësh, ai u bënë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion për këto dhe incidente të tjera që të bashkëpunojnë me organet e hetuesisë dhe të sigurisë.

Incidentet në Mitrovicë dhe ato në Graçanicë pasuan incidentin e së mërkurës së kaluar në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës në Kosovën Perëndimore.

Komandanti i forcave paqëruajtëse në Mitrovicë, gjenerali francez Marc Bertucchi tha sot se gjendja në Mitrovicë duket më e qetë pas shpërthimeve të fundit. Megjithatë, ai theksoi se janë shtuar masat e sigurisë në pjesën veriore. Mirëpo, ai nuk është pajtuar me pohimet e autoriteteve vendore në Mitrovicë për rigrupimin e formacioneve paralele serbe të sigurisë në këtë rajon, të njohura si ”Rojet e Urës”. Gjeneral Bertuchi tha se forcat paqëruajtëse gjithnjë i kanë luftuar strukturat paralele dhe njerzit që pengojnë lëvizjen e lirë në Kosovë.

Zyrtarët e policisë së Kombeve të Bashkuara u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ndihmojnë në ndriçimin e të gjitha akteve të dhunës në Kosovë. Ata thanë sot, se po hetojnë edhe rreth vdekjes në një spital të Beogradit të një pjesëtari të komunitetit serb, të plagosur një javë më parë në rrethana të pasqaruara në një fshat të komunës së Lipjanit, rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës….

Gjenerali amerikan Xherri Bek komenton mbi veprimet më të fundit me dhunë në Kosovë

Forcat paqëruajtëse në Kosovë janë të gatshme të përballen me cdo kërcënim ndaj tyre, apo paqes dhe sigurisë në Kosovë, tha sot komandanti i trupave amerikane, gjenerali Xherry Bek.

Në një takim me gazetarë në kampin e trupave amerikane në Bondsteel afër Ferizajt në Kosovën Lindore, gjenerali Bek dënoi incidentet e fundit në Kosovë, duke i cilësuar ato si përpjekje për të dëmtuar qëndrueshmërinë dhe përparimin e arritur deri më tash.

Ai tha se ka patur njoftime edhe për mundësinë e ndonjë sulmi mbi trupat amerikane, duke ju referuar pohimeve të Armatës Kombëtare Shqiptare, një organizatë që thotë se lufton për bashkimin e trojeve shqiptare, sipas së cilës, shërbimet e fshehta serbe po përgatisin një sulm mbi kampin Bondsteel, për të armiqësuar kështu KFOR-in me popullatën vendore.

“Ndonëse këto njoftimnë nuk janë domosdo të besueshme, duhet të nënvizohet se çdo organizatë ekstremiste që synon akte të tilla, do të bënte një gabim shumë të madh. KFOR-I është këtu për që të ndihmojë paqen dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës, por është gjithnjë i gatshëm të ndërmarrë aksione, nëse ushtarët e tij janë të kërcënuar”,- theksoi gjenerali Beck.

Ai tha në Kosovë ekzistojnë organizata ekstremiste që veprojnë dhe synojnë të dërgojnë dhunën në vendet fqinje, por nuk pranoi të jetë më i qartë se për cilat organizata bëhet fjalë.

Gjenerali Bek tha se ushtarët e tij po punojnë edhe në hetimin e incidenteve që kanë ndodhur në Luginën e Preshevës, posaçërisht në fshatin Dobrosin, ku javën e kaluar u hodhën tri garanta në kampin e trupave ushtarake serbe.

Ai tha se sipas hetimeve të deritashme, sulmi ka ndodhur nga brendësia e Luginës së Preshevës. Duke u rezervuar siç tha, në funksion të ruajtjes së operacioneve të zbulimit, gjenerali Beck theksoi se KFOR-i punon vazhdimisht që të mos lejojë që pjesëtarët e organizatave të tilla, si Armata Kombëtare Shqiptare, e shpallur terroriste, të përfshihen ne organizatat apo institucionet e ligjshme në Kosovë.// lk //

XS
SM
MD
LG