Lidhje

Liberi: nënshkruhet marrëveshja e paqes - 2003-08-18


Fraksionet ndërluftuese të Liberisë nënshkruan një marrëveshje paqeje që synon t’i japë fund luftës civile që zgjati 14 vjet pa ndërprerje. Përfaqësuesit e qeverisë dhe udhëheqësit e kryengritësve e nënshkruan marrëveshjen dje në Gana.

Të dy palët ndërluftuese ranë dakord për një qeveri të përkohshme dhe për një asamble legjislative. Projekt-marrëveshja parashikon që një qeveri kalimtare do të drejtojë vendin që nga tetori, duke zëvendësuar qeverinë e presidentit Moses Blah dhe që do ta çonte Liberinë në zgjedhjet demokratike pas dy vjetësh. Dy postet më të larta qeveritare do tu jepen civilëve dhe jo ish palëve ndërluftuese.

Shtëpia e Bardhë mirëpriti marrëveshjen dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që tu japin fund armiqësove, të mbështesin qeverinë e re dhe të lejojnë punonjësit e ndihmave të bëjnë punën e tyre.

Ndërkohë, dyqanet dhe marketat janë rihapur në Monrovia, ku të shtënat e armëve dhe të mortajave mbulonin qytetit vetëm dy javë më parë.

Dje, njerzit qarkullonin nëpër rrugët e qytetit, shumë prej tyre duke kërkuar ushqime dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm. Disa dyqane u hapën për herë të parë pas një muaji. Furnizimet kanë qënë tepër të pakta pas ofensivës 2 mujore të kryengritësve kundër kryeqytetit.

Por zhvillimet e fundit kanë kthyer besimin tek popullata e shkatërruar nga lufta. Të enjten e kaluar, kryengritësit u tërhoqën nga zona e portit të qytetit për të lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare. Anijet me furnizime u ankoruan pas pak në port.

Megjithatë për kapërcimin e krizës së ndihmave do të duhet shumë punë. Rreth 1 milion liberianë në gjithë vendin kanë nevojë për ndihmë. Dhjetra mijëra njerëz të shpërngulur vetëm në Monrovia kanë nevojë për ushqime, ujë të pijshëm dhe ilaçe.

//ze//

XS
SM
MD
LG