Lidhje

15 vjetori i shtypjes së lëvizjes për demokraci në Birmani. - 2003-08-18


Ky muaj shënon 15 vjetorin e betejës historike të popullit birmanez për demokraci. Në gusht të 1988-tës, miliona birmanezë vërshuan nëpër rrugë për të protestuar kundër rregjimit të korruptuar ushtarak. Qindra demostrues paqësorë u qëlluan për vdekje nga trupat birmaneze. Shumë të tjerë u rrahën brutalisht dhe u burgosën. Gjeneralët ushtarakë të Birmanisë shfrytëzuan trazirat si shkak për të vëndosur shtetin policor që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot.

Po si e trajton popullin e vet junta ushtarake në Birmani? Fëmijët përdoren si ushtarë dhe shërbëtorë. Në qershor të vitit 2002, organizata e grave SHAN, dokumentoi përdhunimin e grave të pakicave etnike nga trupat birmaneze. Regjimi birmanez i shtyp brutalisht kundërshtarët e tij. Më shumë se 1 mijë e 400 disidentë mbahen në burg. Më 30 maj, mbajtësja e çmimit Nobel për Paqen, Aung San Suu Kyi, u arrestua pasi turma rrugaçësh të shtyra nga qeveria sulmuan makinën me të cilën ajo po udhëtonte. Shumë nga përkrahësit e lëvizjes së saj për demokraci u vranë apo u plagosën gjatë këtij sulmi. Aung San Suu Kyi dhe anëtarë të tjerë të partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci u arrestuan.

Shtypja në Birmani është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, i cili ka vënë edhe sanksione akundër këtij vendi. Bashkimi Evropian ka vënë embargon e armëve, ka pezulluar programet e ndihmave dhe ka ndalar udhëtimin e udhëheqësve birmanezë dhe të familjeve të tyre në vendet e tij anëtare. Shtetet e Bashkuara i kanë përforcuar sanksionet e veta ndaj Birmanisë. Sipas një ligji të ri, ndalohet importimi i prodhimeve birmaneze, janë bllokuar pasuritë e udhëheqësve të lartë birmanezë dhe ndalon pothuajse të gjitha transferimet e parave nga Shtetet e Bashkuara në Birmani. Sekretari Amerikan i Shtetit, Kolin Paull, thotë se Aung San Suu Kyi si dhe udhëheqësit e tjerë të lëvizjes për demokraci gëzojnë mbështetjen e popullit amerikan.

”Ne solidarizohemi me burrat dhe gratë guximtare kudo në botë që përpiqen të përmirësojnë të drejtat e njeriut dhe vlerat demoratike në vendet e tyre dhe në mbarë botën".

Presidenti Bush ka deklaruar se populli birmanez duhet të jetë i sigurt se, ”Shtetet e Bashkuara i qëndrojnë përkrah në betejën e tij për liri dhe demokraci”. (*kh*)

XS
SM
MD
LG