Lidhje

Arrestimi i Hambalit, përparim në luftën kundër terrorizmit. - 2003-08-18


Presidenti Bush bëri para pak ditësh një njoftim të rëndësishëm lidhur me luftën kundër terrorizmit global.

”Ditët e fundit ne kapëm një terrorist mjaft të kërkuar të quajtur Hambali. Ai është një vrasës i njohur që ka lidhje të ngushta me planifikuesin e sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheik Mohammed. Hambali ishte një nga terroristët më të përgjakshëm, që dyshohet për planifikimin e operacioneve të gjera terroriste duke përfshirë shpërthimet në Bali, të Indonezisë si dhe sulme të tjera. Por tani ai nuk paraqet më rrezik për ata që e duan lirinë”.

Riduan Isamuddin, i njohur me emrin Hambali, u arrestua nga policia tailandeze dhe iu dorëzua autoriteteve amerikane. Besohet se ai është udhëheqësi kryesor i grupit terrorist Al-Qaida për Azinë juglindore. Ai ishte shefi i operacioneve për Jemaah Islamiyah, një organizatë terroriste që synon vendosjen një regjimi ekstremist mysliman në Indonezi, Malajzi, Singapor, Tailandën jugore dhe Filipinet jugore.

Nën drejtimin e Hambalit, organizta terroriste, Jamaah Islamiyah, vrau rreth dyqind persona nga disa vende të botës, në shpërthimet e tetorit 2002 në ishullin indonezian, Bali. Jamaah Islamiyah u vuri bomba disa kishave katolike në dhjetor të 2002-shit duke vrarë 19 veta dhe plagosur 50 të tjerë. Ky grup, gjithashtu kishte planifikuar komplote në Malajzi dhe Singapor, komplote të cilat dështuan.

Tani, në sajë të bashkëpunimit ndërkombëtar, Jemaah Islamiyah, ka pësuar goditje të forta. Udhëheqësi shpirtëror i këtij grupi, Abu Bakar Bashir, po gjykohet në Indonezi. Malajzia ka ndaluar rreth 80 persona që dyshohet të jenë terroristë të organizatës Jamaah Islamiyah. Arrestimi i Hambalit, tha kryeministri i Australisë John Howard, është sukses i madh. Ndërkohë presidenti Bush tha se terroristët e Al-Qaidës dhe bashkëpunëtorët e tyre i pret i njëjti fat.

”Vendi ynë po vazhdon një luftë të gjerë dhe të fuqishme kundër terrorizmit global. Dhe ne po fitojmë. Kudo që terroristët e Al-Qaidës mundohen të fshihen që nga shpellat dhe malet e Azisë Qëndrore e deri në Filipine apo Pakistan, ne po i gjejmë ata, dhe po i sjellim para drejtësisë”.

Që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit mbi Qendren Botërore të Tregtisë dhe Pentagon, afërsisht dy të tretat e udhëheqësve kryesorë dhe shefave të operacioneve të Al-Qaidës, janë vrarë ose kapur. Shtetet e Bashkuara si dhe miqtë dhe aleatët e tyre nuk do të pushojnë derisa terroristët e kërkuar të nxirren para drejtësisë. *kh*

XS
SM
MD
LG