Lidhje

KKRT bën thirrje për paanshmëri gjatë fushatës zgjedhore - 2003-08-19


Këshilli Kombëtar i Radio-Televizioneve u bëri sot thirrje stacioneve radiotelevizive për të pasqyruar drejt dhe me paanshmëri fushatën zgjedhore për pushtetin vendor, e të mos bien viktimë e presioneve të forcave politike. Kryetari i këtij Këshilli, Sefedin Cela, tha në një konferencë shtypi se stacionet radiotelevizive po bëjnë përpjekje për të rritur profesionalizmin e tyre gazetaresk, duke rritur kulturën e publikut dhe forcave politike. Por ai theksoi se edhe më tej ato duhet të synojnë një pavarësi më të madhe me informacione dhe besueshmëri më të lartë, pavarësisht nga vështirësitë financiare që po ndeshin. “Ne e dimë që ato kanë probleme të mbijetesës nga pikëpamja financiare. Është përgjegjësi e KKRT që të zbatojë regulla të qarta loje për të mos deformuar këtë treg, dhe për të mos deformuar misionin e mediave, që vecse biznese, që kanë për mision të japin para audiencës së vet të vërtetën në mënyrë profesionale. Kodi i ri Zgjedhor parashikon sanksione për të qenë të saktë dhe të paanshëm në informim gjatë fushatës së zgjedhjeve” - tha zoti Cela.

KKRT njoftoi se për të gjitha gabimet që do të bëjnë gjatë fushatës zgjedhore, sipas Kodit të Zgjedhjeve, stacionet radiotelevizive do të vëzhgohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të gjobiten personalisht gazetarët ashtu edhe subjektet transmetuese. KKRT theksoi se zbatimi i rregullave profesionale të gazetarisë është rruga më e përshtatshme për shmangien e gjobave të padëshiruara, si edhe për të pasqyruar me kulturë politike fushatën e zgjedhjeve.

Drejtuesit e Këshillit i bënë këto komente gjatë një konference ku shpjeguan konfliktet ligjore që kanë lindur mes tyre dhe TV ALSAT, i cili ka transmetuar vec satelitit, edhe me antenat e një stacioni tjetër që këto ditë iu hoq licensa. KKRT thotë se marrëveshja e tyre për të transmetuar me antenat e njëri-tjetrit është e parregullt, ndërsa përfaqësues të TV ALSAT u ankuan në gjykatë ndaj heqjes së antenave një ditë para se të merrej vendim për këtë nga ana e Këshillit. ALSAT protestoi për ndërprerjen e sinjalit tokësor, madje mësohet jozyrtarisht se ishte treguar i gatshëm të paguante borxhet e stacionit më të vogël që i ofroi antenat.

Ndërsa për njërën palë cështja ka të bëjë me shkelje ligjore, për stacionin televiziv kjo është një tjetër goditje ndaj lirisë së shtypit, akuza që kohët e fundit u janë drejtuar shpesh autoriteteve edhe nga disa media të tjera dhe gazetarë të njohur.

//rd//

XS
SM
MD
LG