Lidhje

Terapia Gjenetike; Operacioni Bajpas: ADN-ja dhe Kriminalistika: Ozoni - 2003-08-19


Për herë të parë, shkencëtarët po përdorin terapinë gjenetike për trajtimin e sëmundjes parkinson. Në një spital të New Yorkut mjekët filluan fazën e parë të trajtimit të një pacienti 55 vjeçar i prekur rëndë nga kjo sëmundje. Gazeta New York Times botoi sot në faqen e saj të parë një artikull mbi fillimin e terapisë me gjene për trajtimin e parkinsonit. Është hera e parë që një procedurë e tillë përdoret për sëmundjen parkinson. Agjencia për ushqime dhe ilaçe ka lejuar që kjo terapi të përdoret vetëm për 12 pacientë të prekur rëndë të cilët kanë pranuar të marrin pjesë në këtë procedurë eksperimentale. Por disa specialistë në fushën gjenetike kanë shprehur shqetësim. Ata thonë se procedura po zhvillohet pa patur të dhëna se një terapi e ngjashme ka dhënë rezultate të mira tek majmunët në laborator.

Operacioni Bajpas

Lidhur me operacionin bajpass, shkencëtarët po përpiqen të gjejnë shkaqet e komplikacioneve të cilat shfaqen 2 -3 muaj pas operimit. OperacionI bajpass kryhet për hapjen e artereve të zemrës. Mjekët përdorin një venë gjaku nga një pjesë tjetër e trupit të pacientit për të tejkaluar një bllokim në arterin që furnizon zemrën me gjak. Ata shpresojnë se hapja i arterit mund të prandalojë një goditje në zemër. Bajpasi është një operacion i zakonshëm, por studimi i ri është i pari që i hedh një vështrim rasteve të rikthimit të pacientëve në spital për shkak të komplikacioneve nga një operacion i tillë. Këto ndërlikime janë të dëmshme jo vetëm për shëndetin e pacientëve por edhe të kushtueshme nga ana financiare për spitalet dhe mbarë sistemin e kujdesit shëndetësor. Gjatë studimit ekspertët shqyrtuan të dhënat e të gjithë pacientëve që iu nënshtruan operacionit bajpass gjatë vitit 1999 në shtetin e New Yorkut. Rezultatet e studimit ata i botuan në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë. Mbi 15 përqind e këtyre pacientëve u kthyen në spital brenda 30 ditësh dhe afro 13 përqind u ripranuan në spital për shkaqe që lidhen me komplikacione të operacionit. Në studim thuhet gjithashtu se faktorët për komplikacioneve të tilla lidhen edhe me moshën, gjininë dhe racën si dhe gjendjen shëndetësore të pacientit. Për shembull të moshuarit, gratë dhe zezakët kanë më shumë gjasa të kenë komplikime nga një operacioni bajpass. Gjithashtu sëmundjet e mushkrive, e diabeti ndikojnë negativisht në raste të tilla.

Përdorimi i ADN-së në kriminalistikë

Ka kohë që analiza e ADN-së është bërë një mjet i sistemit amerikan të drejtësisë. Byroja federale e hetimeve ka një arkivë me të dhëna të ADN-së për mijëra persona që kanë kryer krime. Zyrtarja e departamentit të Drejtësisë, Sara Hart thotë se brenda këtij shekulli roli i ADN-së do të jetë i ngjashëm me rolin që shenjat e gishtrinjëve luajtën gjatë shekullit të kaluar në fushën e kriminalistikës. Ndërkohë shteti i Virxhinias po hedh edhe një hap më përpara në këtë drejtim, duke mbledhur të dhëna të ADN-së jo vetëm nga personat që kanë kryer krime por edhe nga ata që arrestohen në akuza për krime me dhunë. Ku ligj është pritur me shqetësim nga grupe për të drejta civile të cilët thonë se në këtë rast personi i akuzuar trajtohet si fajtor.

Mision për matjen e shtresës së Ozonit

Një satelit kanadez u lëshua këto ditë në hapësirë me mision për të matur shtresën e ozonit. Raketa Pegasus me Satelitin në bord i nis nga brigjet e Kalifornisë dhe sipas zyrtarëve të Nasës hedhja në orbitë ishte e suksesëshme. Misioni i satelitit është për të vëzhguar ndryshimet në shtresën e ozonit mbi Amerikën e veriut dhe Arktik. Është planifikuar që Sateliti të qëndrojë në hapësirë për 2 vjet dhe t’i vijë rrotull tokës 15 herë në ditë. Dëmtimi i shtresës së ozonit përbën shqetësim sepse ky gaz shërben si mbrojtëse ndaj rrezeve të dëmshme ultra vjollcë që shkaktojnë kancer në lëkurë, dëmtojnë sytë dhe shkaktojnë probleme të tjera në shëndet. Kohët e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar se shkalla e shkatërrimit të shtresë së ozonit në atmosferë po ngadalësohet, kryesisht për arsye të pakësimit të përdorimit të kloro-floro-karboneve. Në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, nënshkruar në vitin 1987, vendeve në zhvillim u kërkohet që brenda vitit 2010 t’u kenë dhënë fund prodhimit ose përdorimit të kimikateve që çlirojnë klorofloro-karbon. Vendet e industrializuara e ndërprenë përdorimin e kloro floro karboneve në vitin 1994. Kimikatet që dëmtojnë ozonin përdoren në frigoriferë dhe paisje të ajrit të kondicionuar.

XS
SM
MD
LG