Lidhje

Kryeministri Abaz ka ndërprerë kontaktet me grupet ekstremiste Hamas dhe Xhihadi Islamik - 2003-08-20


Zyrtarë palestinezë thanë se kryeministri Mahmud Abaz ka ndërprerë kontaktet me grupet ekstremiste Hamas dhe Xhihadi Islamik, pasi ato morën përgjegjësinë për shpërthimin e djeshëm të makinës bombë në Jeruzalem, ku humbën jetën 20 veta.

Zoti Abaz po zhvillonte bisedime me përfaqësuesit e ekstremistëve kur autori i sulmit hodhi veten në erë në një autobuz plot me njerëz. Zyrtarë të Hamasit dhe të Xhihadit Islamik thanë se shpërthimi nuk do të thotë se ka përfunduar armëpushimi i shpallur nga grupet ekstremiste në fund të qershorit.

Ndërkaq, Radioja Izraelite njoftoi se Izraeli ka në plan të rrethojë Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në përgjigje të sulmit të djeshëm. Izraeli bllokoi gjithashtu të gjitha kontaktet me Autoritetin Palestinez dhe anulloi dorëzimin forcave të sigurimit palestinez të dy qyteteve, Kalkilja dhe Xheriko.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara dënuan shpërthimin e fundit vetëvrasës të një autobuzi në Jeruzalem. Zëdhënësi Sean McCormack tha se Shtëpia e Bardhë e dënoi sulmin me fjalët më të ashpra, që mund të ekzistojnë.

Zëdhënësi McCormack e cilësoi shpërthimin një akt të shëmtuar. Ai tha se populli amerikan mendon dhe lutet për familjet e viktimave dhe për të plagosurit.

Shpërthimi tronditi gjendjen relativisht të qetë, që kishte ekzistuar për 7 javë me radhë. Nga fundi i qershorit, disa grupe ekstremiste shpallën një armëpushim të njëanshëm.

Presidenti Bush u pyet rreth armëpushimit gjatë një takimit të shkurtër me gazetarët afër fermës së tij në Texas. Ai tha se vetëm armëpushimi nuk do të sillte paqen në rajon dhe shtoi se është shumë më e rëndësishme që të shkatërrohen grupet terroriste, që shkaktojnë viktima të pafajshme.

“Zgjidhja përfundimtare, që për mendimin tim mund të arrihet me shpejtësi, është gjetja e personave, që mendojnë se vrasjet janë mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve shumë të vështira në Lindjen e Mesme.”

Presidenti shtoi se Autoriteti Palestinez mund të mbështetet tek ndihma e Shteteve të Bashkuara, ndërsa përpiqet të realizojë këtë detyrë të rëndësishme.

“Mendoj se Autoriteti Palestinez duhet të vazhdojë të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe me vende të tjera të interesuara për shkatërrimin e organizatave terroriste dhe të kërkojë ndihmën e domosdoshme në mënyrë që të bëjnë atë që duhet të bëjnë, e që është shkatërrimi i organizatave, të cilat synojnë të vrasin njerëz të pafajshëm për të parandaluar përparimin e procesit të paqes.”

Një krah i grupit ekstremist Xhihadi Islamik mori përgjegjësinë për shpërthimin më të fundit vetëvrasës të një autobuzi në Jeruzalem. Edhe anëtarë të grupit ekstremist Hamas kanë marrë përgjegjësinë për këtë shpërthim, por udhëheqësit e kësaj organizate thanë se Hamasi nuk ishte përzjerrë në këtë sulm.

//ze//

XS
SM
MD
LG