Lidhje

Qeveria e Kosovës kërkon shpejtimin e proceseve institucionale - 2003-08-20


Në një mbledhje të posaçme në Prishtinë, qeveria u kërkoi institucioneve ndërkombëtare që ajo të jetë më e informuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë. Kryeministri Bajram Rexhepi tha se kjo do ti krijonte asaj mundësinë që të ndërmerrte veprime më të shpejta politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, këshilltari i lartë i kryeministrit, Rexhep Hoti tha se qeveria e Kosovës po merr hapa të rëndësishme për shpejtimin e proceseve institucionale.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, si e cilësoni mbledhjen e sotme të qeverisë dhe a parashikoni ndonjë ndryshim strategjik në fushën e masave të sigurisë?

Rexhep Hoti: Pas pushimeve verore mund të them se kjo ishte një mbledhje relativisht e gjatë dhe e mundimshme për kryeministrin Mirëpo që ajo ishte në një karakter pune serioze, gjerat shkuan mirë dhe mendoj se gjatë kësaj kohe kryeministri ka parashikuar hapa të rëndësishëm në të gjitha drejtimet institucionale për shpejtimin e proceseve në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, zyrtarët shqiptarë ankohen se institucionet vendore nuk kanë mjaft kompetenca dhe lënë të kuptohet se sikur të shtoheshin kompetencat, gjendja e sigurisë në Kosovë do të përmirsohej dukshëm. Por disa kritikë thonë se me thirrje të tilla shqiptarët përpiqen tu shmangen përgjegjësive. Cila është përgjigja juaj?

Rexhep Hoti: Është dëshmuar tash se klasa politike në Kosovë nuk i ikën përgjegjësisë dhe është jetësisht e interesuar për marrjen e përgjegjësive dhe është e interesuar edhe për ato segmente të cilat janë pjesë e rezervuar. Gjithë kontributi dhe mundi i kryeministrit në këtë drejtim ka shkuar në avancimin në ndihmën për tu ofruar ndihmë organeve kompetente në mënyrë që edhe popullata edhe organet të jenë në shërbim të institucioneve të drejtësisë dhe atyre të sigurisë që incidente të ndryshme që po ndodhin në Kosovë të ndalen dhe kriminelët të nxirren para drejtësisë, me fjalë të tjera funksionimi i ligjit është prioriteti mbi gjithçka.

Zëri i Amerikës: Pra në se institucionet kosovare do të kishin më shumë kompetenca, gjendja e sigurisë do të ishte më e mirë në Kosovë?

Rexhep Hoti: Gjendja e sigurisë do të ishte më e mirë pasi institucionet e Kosovës, njerëzit përkatës e njohin terrenin më mirë dhe tashmë kanë krijuar një përvojë të mjaftueshme në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, me policinë e UNMIK-ut në mënyrë që ti marrin në duart e veta përgjegjësitë dhe ndoshta në fazën e parë do ti ishte si të thuash një provë e cila do të kishte përballë faktorin ndërkombëtar. Mirëpo është e rëndësishme të themi se ka mangësi të shumta në zhvillimin e shumë sektorëve përkatës që hyn në kuadër të ministrive, çështjes së sigurimit, çështjeve të shërbimeve të brendëshme etj, të cilat duhet të jenë më efikase për hulumtimit të të gjitha rasteve që po ndodhin në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, procesi i kalimit të kompetencave nga administrata ndërkombëtare tek institucioniet vendore ka ngecur. Me ardhjen e shefit të ri të UNMIK-ut, a mund të pritet që ky proces të përfundohet brenda vitit, siç kishte deklaruar ish administratori Steiner?

Rexhep Hoti: Është një domosdoshmëri që ky proces i ndaluar të rifillojë. Me fjalë të tjera deri tani në nivelin e institucioneve të Kosovës ka përfunduar puna me kapitullin pesë të kornizës kushtetuese. Pritet një rifillim i proceseve që ka të bëjë kryesisht me kapitullin tetë ku janë përgjegjësi të rezervuara dhe përgjegjësi që mund të barten. Në këtë drejtim kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu një hartim të strategjisë për fillimin e kësaj pune të menjëhershme sepse është një kusht i domosdoshëm që institucionet e Kosovës të funksionojnë në nivelin e vet në mënyrë që të bëhet edhe integrimi brenda Kosovës dhe ndihma e nevojshme rajonale për një stabilitet të qëndrueshëm.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoti, incidentet e fundit me dhunë në Kosovë si dhe deklaratat e zyrtarëve serbe se në kushtetuten e re të Serbisë dhe Malit të Zi, Kosova do të cilohet si pjesë e Serbisë, kanë vënë në pikëpyetje bisedimet e planifikuara midis Prishtinës dhe Beogradit. A mendoni se këto bisedime do të fillojnë dhe a është e përgatitur pala shqiptare?

Rexhep Hoti: Kryeministri i Kosovës ka bërë të qartë se përgatitjet për bisedimet me Beogradin kanë filluar para gjashtë muajsh në nivele institucionale dhe çdo ministër ka marrë detyra të caktuara që në kuadër të ministrisë së vet të bëjë përgatitjet e duhura në mënyrë që kur të vijë koha për çështjen e dialogut të jenë të përgatitur. Është një çështje që ka shkuar dhe është kuptuar në mënyrë shumë serioze nga institucionet e Kosovës sepse mbi të gjitha ne duam një bashkëpunim dhe miqësi të mirë me shtetin fqinjë, Serbinë. E kaluara nuk mund të na ndihmojë në këtë drejtim. Kuptojmë se Beogradi është duke luajtur shumë me këto çështje, mirëpo është një çështje që ne nuk mund ta imponojmë se si ata do të sillen por me punën konkrete institucionet e Kosovës, janë duke dëshmuar se janë të përgatitura për të gjitha kartat e mundshme që Serbia është duke përdorur, me fjalë të tjera edhe kushtetutën e ka çështje dite. Mirëpo edhe për këto çështje jemi të përgatitur dhe së bashku me faktorin ndërkombëtar relevant do ti çojmë përpara proceset drejt ndërtimit të shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët e saj ku ligji, demokracia, tregëtia e lirë, të drejtat e njeriut do të jenë zot në këto hapësira.

//rd//

XS
SM
MD
LG