Lidhje

Udhëheqësit e botës dënojnë sulmin në Irak - 2003-08-20


Udhëheqësit në të gjithë botën e kanë dënuar me forcë sulmin me bombë në zyrat e OKB-së në Bagdad.

Presidenti Bush tha se personat përgjegjës për sulmin janë, sipas fjalëve të tij, ”armiq të botës së civilizuar” dhe shtoi se nuk duhet lejuar që e ardhmja e Irakut të përcaktohet nga vrasësit. Ai shtoi se sulmi i djeshëm ishte një tjetër shenjë e dëshpërimit të përkrahësve të regjimit të përmbysur të Saddam Husseinit, për shkak të përparimeve të bëra nga koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, për rindërtimin e Irakut të lirë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana e quajti sulmin një vepër të urryer ndaj njerëzve, të cilët përpiqen dhe punojnë për të ardhmen e Irakut.

Sekretari i Jashtëm britanik Jack Straw e quajti sulmin një veprim të pashpirt dhe shtoi se do të duhet të rishikohen masat e sigurisë në Irak.

Sulmin, gjithashtu e dënuan edhe organizata dhe vende si: Nato, Rusia, Izraeli dhe Japonia.

Rusia, një nga vendet që e kundërshtuan luftën nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në Irak, tha se shpërthimi provon se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më tepër për të ndihmuar në rivendosjen e rregullit në Irak.

Edhe Presidenti francez Zhak Shirak, i cili ishte ndër personat që e kundërshtuan luftën në Irak nën udhëheqjen e Shtevee të Bashkuara, u zotua për përkrahjen e plotë të Francës në punën e Kombeve të Bashkuara në Irak.// lk //

XS
SM
MD
LG