Lidhje

Presidenti Moisiu fton partitë politike për zgjedhjet - 2003-08-21


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ftoi partitë politike pjesëmarrëse në parlament për një takim në hapje të fushatës zgjedhore ditët e para të shtatorit për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor. Sipas njoftimeve më të fundit nga presidenca, zoti Moisiu do të diskutojë me përfaqësuesit e partive politike në takimin e 5 shtatorit për të zhvilluar një fushatë të kulturuar dhe një proces të rregullt zgjedhjesh.

Si rrallë zyrtarë të tjerë, presidenti Moisiu ka denoncuar me shqetësim në deklarime të mëparshme parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e kaluara dhe po përpiqet që ato të mos përsëriten më. Ai është shprehur se zgjedhjet e tetorit janë pasporta e Shqipërisë për në Europë, dhe se zhvillimi i rregullt i tyre është tepër i rëndësishëm për afrimin e Tiranës me institucionet perëndimore.

Me hapjen e bisedimeve Shqipëri - Bashkim Europian për marrëveshjen e stabilizim - asociimit, një ndër katër kushtet kryesore të Brukselit për autoritetet shqiptare ishte kryerja e një reforme të thellë zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira e të drejta, krahas kërkesave për ligjin e pronave, luftën kundër kundër trafiqeve, kondrabandës dhe korrupsionit administrativ.

OSBE udhëhoqi për mëse një vit përpjekjet e partive poltike shqiptare për reformën zgjedhore. Mbi bazën e rekomandimeve të saj u përgatitën e u miratuan mbi 60 amendamente në Kodin e Zgjedhjeve me mirëkuptimin e dy forcave kryesore politike, Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Një komision dypalësh ndërpartiak ndërtoi një hapësirë ligjore më të përshtatshme për barazi në konkurrim dhe proces të rregullt zgjedhor.

Vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan një mori shkeljesh dhe parregullsish në mbylljen e vështirë pas 5 raundesh të zgjedhjeve të kaluara. Përfaqësues të OSBE janë shprehur se edhe këtë vit pritet t’i ndjekin zgjedhjet një numër jo i vogël vëzhguesish të ODIHR, si dhe të vendeve dhe institucioneve të tjera perëndimore.

XS
SM
MD
LG