Lidhje

BE: “Kosova nuk administrohet nga kushtetuta e Serbisë” - 2003-08-22


Bashkimi Evropian nuk ka ndryshuar pozicionin e tij përsa u synimeve për fillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve teknike. Kështu u shpreh në një bisedë telefonike për “Zërin e Amerikës”, Kristina Gallak, zëdhënëse e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.

Ajo, tha se veprimet e fundit politike të Beogradit, nuk do të ndikojnë në statusin politik të Kosovës.

Kjo konsiderohet të jetë përgjigja e Bashkimi Evropian lidhur me shqetësimet në Kosovë për shkak të paralajmërimeve të Beogradit se Kosova do të përshkruhet në kushtetutën e Serbisë si pjesë e saj dhe për shkak të njoftimeve se, të mërkurën, parlamenti i Serbisë do të miratojë edhe një deklaratë të vecantë, për siç thuhet, “sovranitetin serb mbi Kosovën”.

Zonja Gallak tha se veprimet e tilla të Beogradit nuk do të kenë asnjë ndikim në gjendjen aktuale në Kosovë. “Kosovarët e dinë shumë mirë se Kosova nuk administrohet në bazë të kushtetutës së Serbisë, por në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”. Prandaj, tha ajo, kushtetuta serbe, si dhe dokumenta të tjerë të miratuara nga autoritetet e Beogradit, nuk do të kenë asnjë ndikim në gjendjen në Kosovë.

“Asgjë, tha ajo, nuk ka ndryshuar sikurse edhe fakti që kjo nuk mund të ndikojë as në statusin përfundimtar të Kosovës”. Ky i fundit, shtoi ajo, do të zgjidhet në kohën e duhur dhe do të vendoset nga Prishtina, Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare. Zonja Gallak tha se pavarësisht nga zhvillimet e fundit, Bashkimi Evropian është i vendosur në përkushtimin e tij për nxitjen e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve teknike.

“Qartazi, bisedimet janë të domosdoshme, ato janë me rëndësi thelbësore dhe është e pamundur që, derisa pjesët e ndryshme të Ballkanit bisedojnë me njerëra-tjetrën, këtë të mos e bëjnë Prishtina dhe Beogradi”.

Bashkimi Evropian, tha ajo, ishte i gatshëm që këtë ta realizonte që në muajin korrik, mirëpo mungesa e administratorit të Kosovës bëri që kjo të shtyhet. Tash kur Kosova ka një administrator të ri, bisedimet duhet të përgatiten dhe të fillojnë sa më parë që është e mundur.

Të dyja palët janë zotuar për fillimin e këtyre bisedimeve që në takimin e Bashkimit Evropian në Selanik të Greqisë në muajin qershor. //az//

XS
SM
MD
LG