Lidhje

Dhjetra mijëra palestinezë protestojnë gjatë funeralit të udhëheqësit të vrarë Hamas - 2003-08-22


Gjatë shërbimeve të përmortshme për një udhëheqës të vrarë të grupit Hamas, dhjetëra mijëra palestinezë bënë thirrje për hakmarrje, ndërkohë që Izraeli thotë se ka në plan të vrasë edhe udhëheqës të tjerë ekstremistë.

Rreth 100 mijë palestinezë u mblodhën në Qytetin e Gazës, për të marrë pjesë në funeralin e Ismail Abu Shanabit dhe të dy rojeve të tij personale, të cilët u vranë dje gjatë një sulmi izraelit me raketa.

Duket se sulmi izraelit u ndërmor në shenjë hakmarrjeje ndaj shpërthimit vetëvrasës palestinez të ditës së martë, që shkaktoi vdekjen e 20 vetave në Jeruzalem.

Grupet eketremiste palestineze Hamas dhe Xhihadi Islamik thanë dje se i kishin dhënë fund zyrtarisht armëpushimit, që kishte sjellë një qetësi relative për shtatë javë me radhë.

Zyrtarë ushtarakë izraelitë thonë se Izraeli ka në plan të vrasë edhe ekstremistë të tjerë palestinezë. Qeveria vendosi mbrëmë të lejonte një ndërprerje 24 orëshe në operacionet ushtarake, për të parë nëse Autoriteti Palestinez do të fillojnte ndërmarrjen e masave kundër grupeve ekstremiste. Mirëpo, në qoftë se nuk ndërmerret ndonjë veprim, Izraeli ka në plan ta rifillojë ofensivën kundër tyre.

Qeveria ka gjithashtu në plan t’i vazhdojë të paktën edhe një muaj operacionet ushtarake që filloi të martën nëpër qytete të Bregut Perëndimor. Në Rripin e Gazës u ngritën postblloqe ushtarake, duke e ndarë territorin në dy pjesë.

Në Nablus, burime palestineze të sigurimit thanë se trupa patrulluese izraelite vranë një person të dyshuar si ekstremistë dhe plagosën rëndë dy të tjerë. Rrethanat e këtij incidenti ende nuk janë të qarta.// lk //

XS
SM
MD
LG