Lidhje

Në Shqipëri policia dhe opozita japin vlerësime të kundërta për situatën e rendit publik - 2003-08-23


Drejtues të policisë shqiptare hodhën poshtë kritikat për vonesa dhe mungesë të rezultateve në vendosjen e rendit publik. Përfaqësues të forcave të rendit pohuan sot se ngjarjet kriminale, sidomos vrasjet, janë në qendër të punës së ekspertëve të policisë dhe ato po zbulohen njëra pas tjetrës në kohë të shpejtë.

Drejtori i policisë kriminale në ministrinë e rendit publik, Sokol Bizhga, tha në një konferencë shtypi se arrestimi më i shpejtë i kriminelëve ka ndikuar në uljen e kriminalitetit. Ai tha se statistikat e policisë për vitin 2003 janë shumë më të mira se periudhat e mëparshme.

"Vëmendje e vecantë i është kushtuar sidomos kapjes së autorëve të veprave më të rënda penale si vrajset. Vetëm në periudhën janar-gusht 2003 janë vënë para drejtësisë 71 autorë të veprave penale për krimin e vrasjes. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër është rritur në masën 24%. Pavarësisht se numri i vrasjeve është shumë më i ulët se në vitet e tjera, forca goditëse për kapjen e personave në kërkim për vrasje është më e lartë" - tha zoti Bizhga.

Ai theksoi se në këtë periudhë policia ka arrestuar autorë të krimeve më të fundit si edhe të krimeve të vjetra, duke treguar se herët a vonë ajo do të zbulojë cdo krim. Sipas të dhënave policore, gjatë vitit 2003 për krime të tjera të rënda janë arrestuar 100 persona, dy herë më shumë se viti i kaluar, ndërsa janë shpallur për kërkim ndërkombëtar 470 persona të dyshuar, 88 prej të cilëve janë në proces ekstradimi.

Opozita nga ana tjetër akuzoi zyrtarë të lartë shtetërorë për lidhje me njerëzit e krimit. Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, tha për shtypin se qeveritarët janë të lidhur me kriminelët, ndërsa kryeministri Nano duhet të kërkojë votëbesim në parlament.

"Në parlament do të kërkojmë që kryeministri të paraqesë mocionin e besimit për veten dhe qeverinë e tij. Ai e kërkoi njëherë mocionin dhe e humbi besimin. Ta përsërisë edhe një herë dhe të ikë. Kjo është e vetmja zgjidhje. Unë ju siguroj se me këtë qeveri nuk ka rend. Këta nuk mund të vendosin rend sepse janë bëshkëpunëtorë. Janë të lidhur këmbë e krye me 100 fije me kriminelët"- tha zoti Berisha.

Ai dënoi vrasjen e një tregtari të njohur në Tiranë dhe një drejtuesi policie në Durrës, duke i përfshirë ngjarjet në një përshkrim skeptik të situatës së rendit dhe sigurisë në vend.

Disa vrajse të bujshme gjatë muajit gusht nxitën komente pesimiste plot kritika për policinë nga ana e shtypit dhe e forcave politike.

//ze//

XS
SM
MD
LG