Lidhje

Sulm tjetër kundër ushtarëve britanikë në Basra - 2003-08-23


Zyrtarë ushtarakë britanikë në Irak thanë se 3 ushtarë britanikë humbën jetën dhe një tjetër u plagos në qytetin jugor të Basrës.

Zyrtarët nuk kanë dhënë hollësi rreth incidentit të sotëm vdekjeprurës në qytetin e dytë për nga madhësia të Irakut, por dëshmitarët thanë se automjeti i ushtarëve u përplas në një godinë, pasi u sulmua nga persona të armatosur në një kamjon.

U njoftua se një grua dhe 2 fëmijë irakianë u plagosën nga automjeti, që doli jashtë kontrollit, dhe një burrë irakian u plagos nga të shtënat e armëve, para se personat e armatosur arritën të iknin.

Deri më sot të paktën 11 britanikë kanë humbur jetën në luftimet në Irak që kur presidenti Bush i shpalli të përfunduara luftimet në shkallë të gjerë në këtë vend më 1 maj.

Dje, presidenti Bush tha se parashikon që trupa të tjera të huaja të bashkohen me forcat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, të cilat përpiqen për stabilizimin e Irakut të shkatërruar nga lufta.

Presidenti u tha gazetarëve në Siatëll të shtetit Washington se Kombet e Bashkuara mund të kenë një rol jetësor në Irak, madje kanë filluar bisedimet lidhur me një rezolutë të re të Këshillit të SIgurimit të OKB-së për të inkurajuar vende të tjera që të marrin pjesë në operacionet në Irak.

Ndërkohë, ambasada britanike në Bagdad është evakuar si masë paraprake pas shpërthimit të së martës në zyrat e Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin irakian. Disa punonjës të Kombeve të Bashkuara u kthyen në punë sot në tenda të ngritura afër gërmadhave të Hotelit Canal, ndërkohë që hetuesit vazhdojnë të kërkojnë për prova në vendin e shpërthimit.

//ze//

XS
SM
MD
LG