Lidhje

Rumsfeld hedh poshtë thirrjet për të dërguar më shumë trupa në Irak - 2003-08-26


Sekretari Rumsfeld thotë se në se komandantët amerikanë në Irak kanë nevojë për më shumë trupa, administrata do të dislokojë më shumë trupa. Por duke folur në shtetin jugor të Teksasit, në një mbledhje të Organizatës së Veteranëve të Luftrave Jashtë Amerikës, zoti Rumsfeld tha se për momentin, personeli ushtarak amerikan në Irak prej gati 140 mijë forcash është i mjaftueshëm.

”Po qe se ndonjëherë nuk do të jetë kështu, as shefi i shtatmadhorisë, gjeneral Meyers, dhe as unë nuk do të ngurronim për asnjë minutë t’i rekomandojmë presidentit të Shteteve të Bashkuara ta shtojë sa është e nevojshme numrit e trupave. Por pa një analizë të tillë, më duket se do të ishte gabim të nxitohemi e të dalim në këtë përfundim”.

Komentet e zotit Rumsfeld u bënë një ditë pasi disa senatorë të njohur amerikanë bënë thirje të dërgohen trupa amerikane shtesë në Irak.

Senatori republikan, John McCain, për shembull, tha për një rrjet televiziv se beson se është e nevojshme të dërgohet, të paktën, një divizion apo rreth 10-15 mijë ushtarë-shtesë.

Senatori demokrat, Joseph Biden, ndërkohë, tha se forcat amerikane, siç u shpreh ai, janë ”mjerisht të papërgatitura” për sfidat që u dalin përpara në Irak. Ai tha në një intervistë televizive se nevojiten 40 deri në 60 mijë trupa më shumë.

Por zoti Rumsfeld, në komente të tjera, që bëri në një bazë ushtarake të Teksasit ku iu drejtua ushtarëve, marinarëve, aviatorëve e marinsave, tha se në Irak po bëhet përparim i vazhdueshëm. Ai shtoi se për ditë po burgosen gjithnjë e më shumë besnikë të regjimit të përmbysur në përpjekje për të frenuar dhunën që po vazhdon.

”Mendoj se ta karakterizosh gjendjen në përkeqësim, do të thotë mos ta kuptosh atë që po ndodh atje. Është vështirë. Ka ngecje. Por po bëhet përparim konkret.”

Zoti Rumsfeld pranoi se, përveç përkrahësve të regjimit të vjetër, terroristët që hyjnë në Irak nga vendet fqinje, po krijojnë probleme për koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

//ze//

XS
SM
MD
LG