Lidhje

Një ilaç i ri për kujtesën e humbur - 2003-08-26


Kompanitë farmaceutike janë hedhur në garë për krijimin e një ilaçi që mund të rikthejë kujtesën e humbur, dukuri që fillon të shfaqet kryesisht pas moshës 40 vjeçare.

Në moshën 77 vjeçare, Nancy Dow është gjithnonë në lëvizje, duke bërë thuajse një jetë normale. Ajo thotë se diçka ndodh me njeriun kur ai e kupton se shumë gjëra që i kanë ndodhur në jetë papritmas i ka harruar. Dhe në këtë rast, një vizitë tek mjeku është e domosdoshme. Por në treg nuk ka ndonjë ilaç për kurimin e kësaj sëmundjeje. Nancy Dow vuan nga dementia një formë paksa e përparuar e humbjes së kujtesës. Shpresa e saj e vetme është një vizitë në klinikën e doktor Stephen Salloway, i cili po eksperimenton ilaçin Arisept.

Tek personat që kanë marrë këtë ilaç kujtesa është përmirësuar dhe shpresat për shërim të plotë janë shtuar. Arisept është një prej 40 ilaçeve eksperimentale për përmirësimin e kujtesës. Mbi 10 shoqëri farmaceutike po shpenzojnë mbi 1 miliardë e 500 milionë dollarë, duke e ditur se nëse ilaçi del me sukses fitimet e tyre do të jenë të mëdha.

Vetëm në tregun e tanishëm, thotë ky analist, fitimet mund të arrijnë në 10 miliardë dollarë ndërsa personat që kanë nevojë për një ilaç të tillë po shtohen. Një ilaç për kujtesën do të bënte shumë më tepër bujë se sa Viagra. Por çfarë ndodh praktikisht nëse provat me ilaçin e ri dalin me sukses. Ekspertët thonë se nëse efektiviteti i ilaçit provohet, qeverisë do t’i duheshin edhe 3 deri në 5 vjet të tjera për të dhënë lejen që ai të hidhet në treg.

*********** Në një spital të Bethesdës në shtetin Maryland, Bryan Wright është gati t’i lejojë shkencëtarët të analizojnë trurin e tij në zonat më të thella, ashtu siç kanë bërë që kur ai ishte 13 vjeç. Bryan, 17 vjeçar, është një prej qindra të rinjve që marrin pjesë në këtë studim për trurin. Doktor Jay Giedd i Institutit të Shëndetit, thotë se përparimet e kohëve të fundit në teknologjinë e fotografisë, u lejojnë shkencëtarëve të shohin me imtësi edhe në zonat më të thella të trurit.

Mendohej se deri në moshën 6 vjeçare truri e ka arritur përmasën apo zhvillimin e tij të plotë. Por në fakt nuk është kështu. Shkencëtarët tani thonë se nga mosha 13 deri në 19 vjeç anatomia e trurit pëson ndryshime shumë më dramatike se sa mendohej.

Dihet se mosha e rinisë shoqërohet shpesh me sjellje të pakontrolluara, me emocione të forta, e ndjenja nga më të ndryshmet, shpesh kundëthënëse.

Profesor Charles Nelson pranë universitetit të Minesotës thotë se kjo ndoshta ndodh pasi zona të trurit përgjegjëse për kontrollin e këtyre emocioneve ende nuk janë zhvilluar plotësisht.

Shkencëtarët thonë se ky kuptim i ri i trurit të të rinjve mund të shpjegojë arsyen se përse prindërit disa herë nuk janë në gjendje të kontrollojnë me lehtësi sjelljet e fëmijëve të tyre, sepse këto sjellje nuk janë rezultat thjesht i ndryshimeve hormonale, por veprime të një truri në zhvillim.

//rd//

XS
SM
MD
LG