Lidhje

William Walker: Universiteti do të ndihmojë për krijimin e asaj Kosove që duan shumica e njerëzve. - 2003-08-26


Së shpejti në Prishtinë hapet Universiteti Amerikan i Kosovës. Ambasador William Walker, kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit, i cili para konfliktit në Kosovë ka qenë shef i misionit verifikues të OSBE-së, thotë se universiteti do të ndihmojë për krijimin e asaj Kosove që duan shumica e njerëzve. Ai thotë gjithashtu se ky do të jetë një universitet i hapur për të gjithë dhe askush nuk do të ketë përparësi mbi bazën e përkatësisë etnike.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, së shpejti në Prishtinë pritet të hapë dyert Universiteti Amerikan i Kosovës. Në çfazë janë përgatitjet?

Ambasador William Walker: Mund them se jemi në javët e fundit para se të hapim dyert. Universiteti do të hapet më 6 tetor, që do të jetë hyrja zyrtare e studentit të parë në dyert e tij. Kjo vjen pas dy vjet përgatitjesh pjesa më e madhe e të cilave nga vetë njerëzit e Kosovës, por edhe shumë punë është bërë nga njerzëut e disaporës, nga njerëzit në Shtetet e Bashkuara që duan ta bëjnë këtë një realitet.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, cili është qëllimi i hapjes së këtij universiteti. A është kjo një përpjekje për ta ndihmuar shoqërinë kosovare të futet në rrjedhat perëndimore?

Ambasador William Walker: Po. Unë do të thosha se në Kosovë dhe në rajon në tërësi ka shumë interesim dhe entusiazëm për integrimin e tyre në botën perëndimore. Ne mendojmë se me universitetin amerikan atje, i cili synon një edukim të stilit amerikan në anglisht, dhe që u mëson studentëve disa nga shprehitë e nevojshme për shembull të zhvillimit ekonomik, ne do të ndikonim mjaft që të përgatisnim të rinjtë e Kosovës për të ecur në këtë drejtim. Ne shpresojmë se në këtë universitet do të vijnë studentët më të shkëlqyer, të cilëve për fat të keq gjatë viteve 80 dhe 90 iu mohua arsimi i lartë. Pra ne mendojmë se kjo do të ketë disa qëllime. Ne shpresojmë që me këtë të ndalim rrjedhjen e trurit që i ka bërë shumë kosovarë të vijnë në Shtetet e Bashkuara, të shkojnë në Britani, në Gjermani ose në vende të tjera europiane për të marrë arsim të lartë. Ne mendojmë se për një çmim shumë më të vogël, ne mund të vemë në dispozicion një arsimim me cilësi shumë të lartë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Dhe këta studentë që do të mbarojnë universitetin amerikan, mundësia më e madhe është që të qendrojnë Kosovës, apo jo?

Ambasador William Walker: Ne shpresojmë se kështu do të jetë. Nga studentët e shumtë që kanë shkuar jashtë vendit për të marrë arsim të lartë, një pjesë e tyre nuk janë kthyer kurrë. Ata kanë gjetur punë në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Pra pjesërisht kjo është një përpjekje për të ndalur këtë rrjedhje të trurit. Nga njëra anë, ata që shkojnë jashtë për të studiuar janë studentët më të mirë. Gjithashtu, kjo u ka kushtuar shumë familjeve të Kosovës dhe bijve të tyre. Ne do të ofrojmë një edukim që në Shtetet e Bashkuara do të kushtonte 4-5 herë më shumë nga sa do të kushtonte për të marrë të njëjtin edukim në Prishtinë, në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Nga do të vijnë profesorët?

Ambasador William Walker: Ne kemi krijuar një partneritet shumë të ngushtë me Institutin e Teknologjisë së Rutchesterit, i cili është një universitet me emër në Nju Jork, i mirënjohur për cilësinë e edukimit. Më parë profili i tyre ishte teknologjia, por tani ata japin kurse në pothuajse çdo fushë. Ata janë shumë të përparuar përsa i përket mësimit me korrespondencë, për shembull me e-mail. Të paktën në fillim, shumica e profesorëve do të jenë nga Universiteti i Rutchesterit. Ne do të përqendrohemi tek ekonomia, tek edukimi praktik, në mënyrë që njerëzit të mund të hyjnë në forcën punëtore moderne dhe ti përdorin këto dije.

Zëri i Amerikës: Diplomat e këtyre studentëve, a do të vlefshme edhe për vendet e tjera?

Ambasador William Walker: Patjetër. Ata do të marrin në fakt dy diploma. Një diplomë nga Instituti Teknologjik i Rutchesterit e cila do të ketë vlerë të plotë kudo dhe do të njihet njëkohësisht edhe në Kosovë. Pra kjo do të jetë një diplomë shumë e vlefshme. Fillimisht kjo do të jetë një diplomë dyvjeçare, por me kalimin e kohës ne do të kalojmë në kurset katërvjeçare kështu që edhe diploma do të jetë katërvjeçare.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, a keni menduar për ngritjen e një universiteti të tillë edhe në Shqipëri?

Ambasador William Walker: Rreth një vit më parë, unë fillova një bashkëpunim të ngushtë me disa njerëz këtu në diasporë, të cilët ishin të interesuar të ngrinin një universitet në Tiranë, që do të ishte një shkollë pasuniversitare në Tiranë, për shembull në degën juridike. Mendoj se kjo ide po vazhdon të zhvillohet. Por nevojat në Kosovë janë të mëdha, pas 10 vjetësh pabarazie në sistemin e arsimit të lartë, ku shqiptarët diskriminoheshin. Ne mendojmë se në Kosovë nevoja është shumë më e madhe. Dhe ndërkohë që unë po punoja për hapjen e shkollës në Tiranë, disa miq nga Kosova më thanë: përse nuk e hapim universitetin në Prishtinë më parë, kështu që më duhet të kënaq edhe dëshirat e tyre.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë në Kosovë në momente shumë të vështira për shqiptarët kur ata kanë demonstruar cilësi të larta të tolerancës. Për fat të keq, një seri shpërthimesh dhe incidente të tjera po i bëjnë disa vëzhgues të thonë se shqiptarët nuk po tregohen sa duhet tolerantë. Cili është komenti juaj?

Ambasador William Walker: Përvoja ime është se shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë tolerantë, madje më shumë se sa tolerantë. Ata dëshironin të bënin një jetë normale dhe paqësore por nuk lejoheshin ta bënin këtë. Shumë prej tyre u larguan nga Kosova dhe shkuan në kampe refugjatësh në vendet fqinje, erdhën në Amerikë ose shkuan në pjesë të tjera të Evropës. Ata kishin provuar gjëra të tmerrshme në kurriz të tyre. Përshtypja ime është se komuniteti ndërkombëtar, kur hyri në Kosovë dhe filloi administrimin e saj, nuk i kushtoi shumë vemendje vendosjes së shtetit juridik, sepse shumë njerëz pasi u kthyen në Kosovë, dëshironin të rivendosnin drejtësinë, por nuk kishin se kujt t’i drejtoheshin. Mendoj se një pakicë shumë shumë e vogël, u zhgënjye mjaft dhe disa prej tyre sot po e shprehin këtë zhgënjim me akte dhune të panevojshme. Kjo natyrisht që nuk po u shërben kosovarëve, sepse kjo po u jep pretekst atyre që nuk duan që Kosova të fitojë pavarësinë, për të thënë se Kosova nuk është gati për të qeverisur veten. Unë mendoj se ata janë të gatshëm të vetqeverisen dhe nëse u jepen kompetencat e duhura njerëzve që ata zgjedhin, kjo dhunë do të pakësohej ndjeshëm. Mendoj se prania e një universiteti amerikan atje do të ndihmojë. Sepse ata të rinj që nuk kanë me se të merren, e drejtojnë vemendjen në aktivitete të tjera duke krijuar probleme. Mendoj se universiteti do të ndihmojë për krijimin e asaj Kosove që duan shumica e njerëzve atje. Desha të shtoj gjithashtu se mund të krijohen keqkuptime se ky mund të jetë një institucion vetëm për shqiptarët. Në fakt ky do të jetë një universitet i hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë dhe që kualifikohet përmes sistemit të provimit. Askush nuk do të ketë përparësi mbi bazën e përkatësisë etnike. Ne shpresojmë se përbërja e studentëve do të jetë e larmishme dhe aty do të aplikojnë të rinj nga të gjitha etnitë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG