Lidhje

Arafat: grupet palestineze të rifillojnë respektimin e armëpushimit - 2003-08-27


Presidenti palestinez, Jaser Arafat, u bëri thirrje grupeve ekstremiste palestineze të rifillojnë respektimin e armëpushimit të njëanshëm për sa u përket sulmeve kundër Izraelit, në mënyrë që të krijohen mundësitë që përpjekjet ndërkombëtare të paqes të dalin me sukses.

Hamasi dhe grupe të tjera i dhanë fund armëpushimit javën e kaluar, kur një palestinez vrau 21 veta në një autobus të Jeruzalemit me një shpërthim vetvrasës. Ata thanë se sulmi u krye në shenjë hakmarrjeje për vrasjen nga Izraeli të udhëheqësve ekstremistë palestinezë.

Kryeministri palestinez, Mahmud Abaz, dhe kabineti i tij zhvilluan sot një takim dhe nxorrën një deklaratë në mbështetje të thirrjes për një armëpushim të ri.

Izraeli ka vrarë 7 ekstremistë të Hamasit që kur ky grup dhe Xhihadi Islamik morën përgjegjësinë për shpërthimin e 19 gushtit në Jeruzalem.

Ndërkohë, trupat izraelite u përleshën sot me palestinezë në qytwtin Ramallah, pas arrestimit të disa anëtarëve të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, një fraksion radikal i Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Po sot, zyrtarë izraelitë thonë se një ushtar vrau një palestinez, i cili kërcënoi me thikë disa ushtarë pranë një postblloku në Bregun Perëndimor.

//rd//

XS
SM
MD
LG