Lidhje

Marsi dhe Toka më pranë se kurrë - 2003-08-27


Si astronomët amatorë dhe ata profesionistë presin të shikojnë sot diçka të rrallë, diçka që njeriu e përjeton vetëm një herë në jetë.

Sot, Marsi dhe Toka do të jenë më afër se kurrë në 60 mijë vjetët e fundit. Për më tepër, sipas Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASË-s, Marsi do të duket më i madh dhe më i ndriçuar se kurrë më parë.

Ky pozicion ndodh, kur Toka dhe një planet tjetër rreshtohen njëri pas tjetrit, në të njëjtin drejtim nga Dielli.

Shkencëtarët thonë se nuk parashikojnë që Marsi të ndodhet përsëri kaq afër me Tokën, para vitit 2287.

Richard Berendzen, profesor i Fizikës në Universitetin Amerikan në Washington, thotë se kjo ngjarje do të mund të shihet mirë me sy nga njerëzit. "Është tepër emocionuse, për arsye se për herë të parë në rreth 60 mijë vjet, Toka dhe Marsi janë kaq pranë njëri tjetrit. Kjo për faktin se Toka përshkon një trajektore rrethore ndërsa Marsi, trajektore ovale. Sot këto dy trajektore ndodhen në pikën më të afërt. Kjo do të mund të shihet nga të gjithë, pa nevojën e teleskopit".

Shkencëtari i Observatorit Amerikan të Marinës, Steven Dick, thotë se njerëzit do të mund të shohin me këtë rast polin jugor dhe sipërfqen e Marsit. "Nga Toka ne do të mund të shohim karakteristika të sipërfaqes së Marsit. Marsi është një objekt i mrekullueshëm, për të është shkruar shumë në letërsinë shkencore dhe atë popullore, ai ka nxitur imagjinatën tonë. Mendoj se kjo është arsyeja përse ne sot kemi kaq shumë emocione dhe mezi presim të shohim me sy, ato që kemi imagjinuar.

Shkencëtarët kanë mësuar shumë për Marsin, që nga Misioni Pathfinder i vitit 1997, i cili bëri fotografitë e rralla që ne të gjithë i kemi parë.

Një nga rezultatet kryesore të eksplorimit të Marsit, ishte zbulimi i gjurmëve të ujit, një element i domosdoshëm për jetën në Tokë.

Profesori Berezden thotë se në se ka ndonjë formë jete në Mars, ajo mund të jetë në fazën e mikrobeve, dhe jo e përparuar.

Megjithatë, mund të ketë shenja të jetës në të kaluarën, gjë që sipas profesorit do të kishte ndikime të mëdha.

Aktualisht, NASA ka dërguar dy sonda Rovers për në Mars, ”Spirit” dhe ”Opportunity”, të cilat janë nisur drejt planetit në kuadrin e programit për eksplorimin e Marsit.

Në se gjithcka shkon sipas parashikimeve, anijet mendohet të mbërrijnë në Mars në janar 2004. Ato do të zhvillojnë kërkime në vendet ku do të ulen, për të dhëna gjeologjike mbi historinë e ujit në Mars.

Richard Berendzen e përshkruan misionin e sondave Rovers, si një përpjekje me rrezik të madh. Megjithatë, ai thotë se në ato mbërrijnë me sukses në Mars, fotografitë që ato do të marrin do të jenë mahnitëse.

XS
SM
MD
LG