Lidhje

Amerika pret me kureshtje afrimin e Marsit me Tokën - 2003-08-27


Me ngjyrën e tij të kuqërreme, Marsi e ka magjepsur njeriun që kur ai i hodhi sytë për herë të parë nga qielli. Marsi, planeti më i ngjashëm me tokën në sistemin diellor, e ka marrë emrin nga zotat e lashtë romakë dhe grekë të luftës. Sipërfaqja e tij është gropa-gropa nga vullkanet dhe kanionet gjë që tregon për një prani të dikurshme të ujit dhe shkencëtarët prej kohësh kanë ngritur hamendje për praninë e një forme jete marsiane.

Të mërkurën në mbrëmje, Marsi do të shfaqet në qiellin juglindor pak pas perëndimit të Diellit dhe do të jetë objekti më i shndritshëm në qiell. Kelly Beatty, kryeredaktor i revistës më të rëndësishme amerikane për astronominë “Sky and Telescope” thotë se ajo që e bën të veçantë këtë ngjarje është se Marsi, mes gjithë planeteve të tjera ka një mistikë të veçantë.

“Nga gjitha planetet që mund t’i rrokë syri, Marsi gjithmonë ka pasur një vend të veçantë. Kur e sheh në qiell, ka atë ngjyrën e tij si krem, apo si pjeshkë. Marsi është i kuq sepse shkëmbinjtë e tij janë në ngjyrë ndryshku dhe kjo dihet prej mijëra vjetësh. Dhe gjatë gjithë kohës ne e kemi pranuar që Marsi është planeti më i ngjashëm me tokën. Kështuqë ndjejmë një lloj lidhjeje me të”, thotë ai.

Megjithëse Marsi është studiuar në hollësi dhe mbi sipërfaqen e tij janë ulur të paktën 6 anije që kanë bërë edhe fotrografi të tij, kjo vizitë po pritet me entuziazëm. Të shtunën e kaluar mbi një mijë persona u mblodhën në një park të Virginias pranë Washingtonit për të parë Marsin me teleskopë astronomësh amatorë.

Në Los Angeles të Kalifornisë, Edwin Krupp, Drejtor i Observatorit Giffith në malin Hollivud ka marrë reagime të shumta nga publiku. Megjithëse observatori kryesor është i mbyllur për riparime që kapin shifrën prej disa miliona dollarësh, grupet e mëdha të njerëzve që shkojnë zakonisht në objektin satelitor u shtuan nga 300 persona në një natë në 10 mijë fundjavën e kaluar.

“Edhe ne në Los Angeles dhe Hollivud e pranojmë se yjet e vërtetë janë yjet në qiell. Dhe ato tërheqin vëmendjen e njerëzve”, tha ai duke pasur parasysh se në Hollivud quhen yje, aktorët e mëdhenj.

Ndërsa ai pret që sot numri i vizitorëve të jetë edhe më i madh, zoti Krupp e pranon se një emocion i tillë nga ana e publikut e kapërcen interesin për Marsin, madje edhe për sistemin diellor. Ai prek një aspekt edhe më të hershëm të ekzistencës sonë:

“Nuk është thjesht një kureshtje zbavitëse, intelektuale e jona për të studiuar qiellin. Kjo në fakt është diçka që na shtyn të mendojmë më qartë dhe më me mprehtësi në shumë drejtime. Eksplorimet dhe zbulimet në të vërtetë me këtë kanë të bëjnë. Kjo është domethënia e njerëzimit, të kthesh vështrimin lart drejt universit, të hamendësosh; të eksplorosh dhe të mendosh pastaj për pikëpyetjen më të rëndësishme; gjërat e matshme dhe të pamata që na rrethojnë. Këtu qëndron në fakt madhështia e kësaj dukurie”, , thotë ai.

Atyre që nuk do të mund ta shohin Marsin këtë javë, ose së shpejti ndërsa i afrohet tokës 55 milionë e 763 mijë kilometra, do t’u duhet të presin gjatë. Do të kalojnë 283 vjet para se planeti të afrohet prapë kaq shumë.//kk//

XS
SM
MD
LG