Lidhje

Holkeri: “Mitrovica do të jetë qytet normal evropian!” - 2003-08-28


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri, tha sot se cështja e Mitrovicës, nuk mund të zgjidhet me forcë, ndërsa u zotua se UNMIK-u nuk do lërë gurë pa lëvizuar, derisa shkaktarët e dhunës në Kosovë të vihen para drejtësisë.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në këtë qytet, një nga problemet më të rënda të pazgjidhura të Kosovës së pasluftës. Pas takimit me kryetarët e gjashtë komunave të rajonit të Mitrovicës dhe më përfaqësuesit e Misionit të tij në këtë qytet, ai tha se të gjitha cështjet e ndërlikuara mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet bisedimeve, ndërsa përdorimi i dhunës vetëm shkakton më shumë dhunë. Së këndejmi tha ai, synimi i tij është që t’i jap fund dhunës ndëretnike, të shtendosë situatën dhe të ndërtojë besimin ndërmjet komuniteteve. “Bisedimet dhe ripajtimi, do të jenë cështje thelbësore në përpjekjet për ta bërë Mitrovicën qytet normal evropian” tha zoti Holkeri, duke u bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës që t’i japin fund dhunës ndëretnike dhe të mos lejojnë që të provokohen nga akte të tilla.

“Siguria nuk bazohet vetëm në praninë ushtarake dhe policore, por për të duhet të punojnë të gjithë përfaqësuesit politik dhe të gjithë qytetarët. Njerëzit nuk mund të afrohen me njëri tjetrin me forcë, por kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet bisedimeve dhe bashkëpunimit”, theksoi zoti Holkeri. Ai terhoqi vërejtjen ndërkaq se autorët e incidenteve të fundit në Kosovë janë kundër ardhmërisë së saj dhe po provojnë të pengojnë të gjitha proceset politike. “I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk do të lihet gurë pa u lëvizuar derisa ata që janë fajtorë për këto krime të mos vihen para drejtësisë”, tha kryeadminitsratori i Kosovës.

Zoti Holkeri ka trashëguar problemin e Mitrovicës nga pararendësit e tij, të cilët janë zotuar në vazhdimësi se Mitrovica do të jetë e bashkuar dhe një qytet Evropian. Mirëpo, edhe katër vjet pas përfundimit të luftës, qyteti vazhdon të mbetet i ndarë në dy pjesë, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

//rd//

XS
SM
MD
LG