Lidhje

Në kujtim të Martin Luther Kingut - 2003-08-28


Më 28 gusht 1963, udhëheqësi i të drejtave civile, Martin Luther King, mbajti një fjalim para 200,000 njerëzve në Washington. Në fjalimin e tij, laureati i Çmimit Nobel, tha se ëndërronte që zezakët e Amerikës do të gëzonin një ditë të drejta të barabarta dhe se dallimit racial do ti jepej fund. Sot kur janë mbushur 40 vjet nga ky fjalim që ka hyrë në historinë amerikane, shumë njerëz shtrojnë pyetjen nëse ëndrra e Dr. Kingut është realizuar apo jo plotësisht.

40 vjet më parë, Martin Luther Kingu mbajti fjalimin e tij të famshëm që sot njihet me emrin “Shoh një ëndërr”. Fjalimi shënoi një kthesë të paharruar në luftën për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara. Por mbi të gjitha ai ndryshoi qendrimin e njerëzve për dallimin racial.

“Unë shoh një ëndër, se një ditë ky vend do të zgjohet dhe do të realizojë kuptimin e vërtetë të parimit të tij: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se kjo është një e vërtetë që nuk kërkon shpjegim", tha Martin Lutherf Kingu në fjalimin e tij.

Fjalimi dhe suksesi i Marshimit të vitit 1963 në Uashington forcuan mbështetjen për lëvizjen e të drejtave civile. Ato e nxitën Kongresin të miratonte ligje të forta kundër dallimit racial në Shtetet e Bashkuara. Ligjet synonin të korregjonin dekada të tëra të dallimit racial dhe t’u jepnin zezakëve të njejtat shanse zhvillimi si edhe të bardhëve.

“Ishte një fjalim në të cilin thuhej se ky është problemi ynë, është një problem amerikan. Pra se kjo nuk është çështje e zezakëve, nuk është as çështje e të bardhve, por është një çështje që u përket të gjithëve e që mund të zgjidhet bashkërisht, me besimin dhe shpresën se është e realizueshme”, thotë veprimtari i të drejtave civile, Sterling Tucker. Zoti Tucker ishte njëri ndër ata që punuan me Dr. Kingun për të organizuar marshimin. Ai kujton ndikimin që ajo ditë pati tek shumë amrikanë.

“Më kujtohet se atë mbrëmje grupi u takua me presidentin e Shteteve të Bashkuara, John Kennedy, i cili tha se i kishte parë aktivitetet e asaj dite në televizion. Presidenti filloi pastaj të fliste duke theksuar se kjo ishte pikërisht ajo që duhej bërë për miratimin e Aktit për të Drejtën e Votës, dhe shtoi më tej se qeveria kishte filluar të ecte në këtë drejtim dhe së bashku me të edhe industria dhe organizatat e punës”.

Jack Jones, pronar i një firme huadhënëse në afërsi të Uashingtonit, thotë se ishte Dr. Kingu që e kishte frymëzuar atë të fillonte një biznes të tillë.

“Kjo ishte pikërisht ajo që ai ëndërronte dhe për të cilën ai fliste aq qartë. Sot zezakët janë duke hapur biznese nga më të ndryshmet dhe po ecin shumë mirë. Por ende në këtë vend ka një përqindje shumë të madhe biznesesh që nuk u përkasin afrikano-amerikanëve. Dhe ky është qëllimi për të cilin ne po përpiqemi gjithnjë e më tepër,”, thotë Jack Jones.

Shumë zezakë shtrojnë pyetjen se përse nuk është bërë gjë për të zgjidhur çështjet me të cilat përballen më tepër komunitetet zezake, si mungesa e punës, arsimit dhe strehimit. Veprimtarët e të drejtave civile thonë se zgjidhja e këtyre problemeve do të jetë e rëndësishme për të siguruar të drejta të barabarta për të gjithë dhe për të realizuar ëndrrën amerikane për të gjithë.

//rd//

XS
SM
MD
LG