Lidhje

Katër arrestime në lidhje me shpërthimin e djeshëm në Naxhaf - 2003-08-30


Policia irakiane thotë se arrestoi katër persona në lidhje me shpërthimin e djeshëm në qytetin e shenjtë për myslimanët, Naxhaf. Policia njoftoi se 4 personat, dy irakianë dhe dy sauditë, u ndaluan dje në xhaminë e Imam Aliut pak pas shpërthimit, i cili shkaktoi vdekjen e njërit prej klerikëve më me peshë shiitë, Ayatollah Mohammed Baqir al-Hakim.

Lajmet e fundit nga ky qytet e çojnë numrin e viktimave nga ky shpërthim në më shumë se 100. Guvernatori i Naxhafit tha se sulmi u krye duke përdorur 2 vetura të mbushura me 700 kilogram eksploziv. Shpërthimi u përshkrua si i ngjashëm me sulmet e kohëve të fundit ndaj selisë së Kombeve të Bashkuara dhe ambasadës jordaneze në Bagdad.

Zyrtarë amerikanë janë shprehur se terroristët e huaj që synojnë të destabilizojnë vendin, kanë ardhur përmes kufijve të pakontrolluar mirë të Irakut nga Siria, Arabia Saudite dhe Irani.

Mijëra njerëz u mblodhën sot në vendin e shpërthimit, duke mbajtur zi për humbjen e Ayatollah Mohammed Baqir al-Hakim dhe duke kërkuar hakmarrje për sulmin. Duke mbajtur flamuj e duke thirrur, grumbuj njerëzish dënuan shpërthimin dhe u betuan të hakmerren për sulmin i cili kërcënon tani ekuilibrin e brishtë fetar e politik në Irakun e shkatërruar nga lufta.

Shiitë të zemëruar fajësuan fillimisht për shpërthimin mbeturinat e regjimit të Sadam Huseinit, por ata treguan gjithashtu zemërim në rritje ndaj forcave amerikane për mosgarantimin e sigurisë, që, sipas tyre, mund të kishte parandaluar një sulm të tillë.

//ze//

XS
SM
MD
LG