Lidhje

Presidenti Bush thotë se politikat e tij e kanë futur Amerikën në rrugën drejt rigjallërimit ekonomik - 2003-08-30


Presidenti Bush thotë se politikat e tij e kanë futur Amerikën në rrugën drejt rigjallërimit ekonomik.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se shkurtimi më i mëdh i taksave federale, i miratuar këtë vit, ka çuar në shtimin e shpenzimeve të konsumatorëve, ndërkohë që kompanitë po marrin më shumë kërkesa për prodhimet e tyre. Presidenti citoi gjithashtu vazhdimin e shkallës së ulët të interesit dhe shtimin e prodhimtarisë punëtore si shenja të rigjallërimit ekonomik.

Presidenti Bush thotë se punëtorët amerikanë që festojnë fundjavën e Ditës së Punës, po çojnë në shtëpi më shumë para, falë një serie shkurtimi taksash të propozuara prej tij për stimulimin e ekonomisë.

Në kuadër të këtyre shkurtimeve, miliona familje kanë marrë tashmë deri në 400 dollarë për fëmijë. Zoti Bush thotë se 13 miliardë dollarë shkurtime në taksa po i ndihmojnë shumë njerëz të mbulojnë shpenzimet e fillimit të vitit shkollor.

”Ndërkohë që rriten shpenzimet nga ana e konsumatorëve, firmat prodhuese po marrin porosi të reja për mallrat e tyre. Përqindjet e ulëta të interesit bëjnë që bizneset të kenë bilance më pozitive në llogaritë e tyre dhe familjet të kursejnë miliarda dollarë përmes rifinancimit të kredive, duke ulur përqindjet e interesit. Këto janë shenja të rigjallërimit të ekonomisë”.

Tradicionalisht, me Ditën e Punës fillon fushata presidenciale dhe ekonomia do të jetë temë qendrore e fushatës së Presidentit Bush për t’u rizgjedhur. Javën e ardhshme ai do të vizitojë shtetet Ohio, Missouri dhe Indiana për të folur mbi ekonominë.

Në përgjigjen e tyre, demokratët thanë se politikat ekonomike të presidentit kanë bërë që borxhi qeveritar të arrijë në më shumë se 3 trilion dollarë, në krahasim me suficitin prej 5,6 trilion dollarë, kur zoti Bush erdhi në detyrë.

Demokratë thonë se shkurtimet e taksave favorizojnë në mënyrë të pa drejtë amerikanët më të pasur. Ata fajësojnë gjithashtu zotin Bush për humbje të tjera të vendeve të punës, ndërkohë që papunësia kap 6 përqindëshin.

//ze//

XS
SM
MD
LG