Lidhje

Irakianët i bëjnë nderimet e fundit klerikut shiit - 2003-08-31


Në Bagdad, mijëra vetë i bënë nderimet e fundit një kleriku shiit me peshë që u vra të premten, bashkë me mbi 80 përkrahës të tij, si pasojë e shpërthimit të një bombe në qytetin Naxhaf të Irakut Qendror.

Trupi i Ayatollah Mohamed Baqir al-Hakimit do të çohet edhe në qytete të tjera të Irakut, para se të varroset në Naxhaf:

Pjesëmarrësit në ceremoninë për nder të klerikut, shumica e të cilëve rrihnin kraharorin me një gjest tradicional zije, përshkuan rrugët e Bagdadit duke mbajtur arkivolin, që ishte mbështjellë me një pëlhurë e zezë dhe mbuluar me një flamur të gjelbër.

Zyrtarët amerikanë dhe irakianë shprehën ngushëllimet dhe zemërimin e tyre për sulmin, për të cilin ata thanë se u krye nga grupe që përpiqen të minojnë stabilitetin në Irak. Policia irakiane ka arrestuar katër persona në lidhje me sulmin.

Ayatollah Baqir al-Hakim u vra kur një makinë bombë shpërtheu para xhamisë së Imam Aliut, pas lutjeve të së premtes. Xhamia e Imam Aliut është një nga objektet më të shenjta të myslimanëve shiitë.

Përkrahësit e Ayatollah Baqir al-Hakimit fajësojnë besnikët e ish-presidentit Sadam Hussein, por konsiderojnë gjithashtu përgjegjëse edhe forcat e koalicionit që nuk kanë arritur të vendosin sigurinë.

Zyrtarët ushtarakë thonë se nuk kanë vendosur trupa në vendet e shenjta me kërkesë të udhëheqësve myslimanë. Gjithsesi, ata thanë dje se po krijonin një forcë speciale prej 400 trupash irakiane për të mbrojtur objektet e shenjta.//kk//

XS
SM
MD
LG