Lidhje

Hiqet monumenti i Dhjetë Urdhëresave nga qendra e një ndërtese shtetërore në Alabama - 2003-08-31


Shumë njerëz këtu në Shtetet e Bashkuara e kanë ndjekur debatin mbi një monument në Alabama, që përfaqëson Dhjetë Urdhëresat, rregullat e jetesës për të cilat disa besime thonë se kanë ardhur drejtpërdrejt nga Zoti.

Të mërkurën e kaluar monumenti i Dhjetë Urdhëresave u hoq nga qendra e një ndërtese shtetërore në Alabama. Punëtorët që e hoqën vepruan në bazë të një urdhri të një gjyqtari federal. Ai kishte marrë vendimin që lënia e atij monumenti në një vend publik shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Kryegjyqtari i Gjykatës së Lartë të Alabamës, Roy Moore e kishte vendosur monumentin në ambjentet e gjykatës, para dy vjetësh. Zoti Moore është i krishterë. Ai njihej si mbështetës i Dhjetë Urdhëresave kur votuesit e shtetit të Alabamës e zgjodhën në krye të gjykatës në vitin 2000. Dhjetë Urdhëresat janë një listë rregullash për mënyrën se si duhet të jetohet. Si të krishterët, ahtu edhe hebrenjtë e myslimanët i pranojnë këto udhëzime si fjalën e Zotit.

Avokatët që përfaqësonin grupe të ndryshme ndërmorën masa ligjore që Monumenti i Dhjetë Urdhëresave të hiqej nga gjykata e Alabamës. Ata mbështetën argumentin se vendosja e këtij monumenti atje ishte jokushtetuese.

Vitin e kaluar, Gjykatësi Federal i Qarkut, Myron Thompson vendosi që prania e Monumentit në ambjentet e gjykatës shkelte Amendamentin e Parë të Kushtetutës. Në këtë amendament, garantohet ndarja e fesë nga shteti në Amerikë. Gjykatësi Thompson urdhëroi që monumenti të hiqej deri më 20 gusht. Ai tha se mund të vihej në një pjesë private të gjykatës.

Kryegjyqtari Moore e apeloi vendimin e gjykatësit. Ai tha se sistemi ligjor amerikan mbështetet tek Dhjetë Urdhëresat. Ai tha gjithashtu se ai ka të drejtën kushtetuese që ta njohë Zotin. Por si një Gjykatë Federale Apeli, ashtu edhe Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara i hodhën poshtë apelet e tij.

Megjithatë, kryegjyqtari Moore vendosi që ta lerë monumentin aty ku ishte. Por gjyqtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë të Alabamës, guvernatori dhe avokati që përfaqësonte shtetin nuk ishin dakord me të. Tetë gjyqtarët votuan javën e kaluar që ta hiqnin monumentin që peshon dy tonë e gjysmë.

Më pas Komisioni Hetimor Gjyqësor i Alabamës, i cili merret me hetimin e rasteve kur një gjyqtar nuk mund të kryejë detyrën, e pezulloi Kryegjyqtarin Moore, nën akuzat se kishte shkelur rregullat e gjykatës.

Gjykata e Organeve të Drejtësisë që ka të drejtën të shkarkojë nga detyra, ose të pezullojë një gjyqtar mund të vendoste që ta dënonte zotin Moore, apo edhe ta largonte nga detyra në Gjykatën e Lartë. Zoti Moore ka 30 ditë afat që t’u përgjigjet akuzave kundër tij.

Ata që ishin në favor të heqjes së Monumentit thonë se është një fitore e madhe për shtetin ligjor dhe për respektimin e së drejtës së zgjedhjes së besimit. Por Roy Moore dhe përkrahësit e tij kanë thënë se do të vazhdojnë luftën për ta kthyer monumentin në qendër të Gjykatës.

Sipas një vendimi të Gjykatës Federale të Apelit të vitit 1994, nuk mund të vendosen monumente ose objekte të tjera për Dhjetë Urdhëresat në gjykatat e Alabamës, Floridës dhe Xhorxhas. Vitet e fundit, gjykatat hodhën poshtë gjithashtu përpjekjet për të vendosur objekte të tilla në Karolinën e Jugut dhe në Kentaki.

//ze//

XS
SM
MD
LG