Lidhje

Uashington: Iraku në krye të rendit të ditës - 2003-09-01


Intervistat e së djelës në televizionin amerikan treguan se një debat i ashpër do të zhvillohet në të ardhmen, meqenëse anëtarë me peshë të Kongresit ngritën çështjen e kostos dhe të kohëzgjatjes së përfshirjes së Amerikës në Irak.

Në emisionin televiziv ”FOX News Sunday”, një anëtar i rëndësishëm i partisë së Presidentit i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë të tregohej më e hapur në lidhje me Irakun dhe të thojë shkoqur se sa fonde e trupa nevojiten për rindërtimin e këtij vendi dhe vënien e tij në rrugë të mbarë.

Senatori Riçërd Lugar, kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se për drejtimin e vendit gjatë 5 vjetëve të ardhshme, përveç shpenzimeve të vazhdueshme ushtarake prej rreth 4 miliardë dollarësh në muaj, do të nevojiten edhe 30 miliardë të tjera. Ai i bëri thirrje Presidentit Bush t’i dërgonte kongresit një projekt-buxhet pesëvjeçar për operacionet në Irak. ”U duhet dhënë besim irakianëve se ne do të rrimë atje për një kohë të gjatë, duhet krijuar besimi tek vendet e tjera se ne jemi të përgatitur të mirremi vesh se si këto vende të ndihmojnë me fonde, trupa e çdo gjë që kemi nevojë prej tyre, dhe ta trajtojmë këtë problem në mënyrë sistematike”.

Republikani nga shteti Indiana tha se detyra që del përpara, nuk do të jetë e lehtë dhe theksoi se studiuesit e kanë paralajmëruar prej kohësh komisionin që ai drejton, se do të ishte e vështirë mbajtja bashkë e tre faktorëve: shiitët, sunitët dhe kurdët. ”Është një gjendje tepër ndërlikuar dhe detyra së cilës i jemi përveshur, është aq e vështirë sa askush nuk e ka ndërmarrë”.

Retorika ishte edhe më e ashpër në emisionin ”Takim me Shtypin”, të rrjetit NBC, ku u zhvillua një diskutim që përfshinte tema të tilla si ajo e Irakut dhe fushata presidenciale për zgjedhjte e vitit 2004. Senatori nga shteti Masaçusets, Xhon Kerri, i cili synon të jetë kandidati presidencial për Partinë Demokrate, tha se politika e Presidentit Bush është e metë. ”Jemi në rrezik të ngecim plotësisht, të ndeshemi me një sfidë tepër serioze, po nuk bëmë atë që duhet, në pak muajt e ardhshëm. Këto janë momente tepër të vështira”.

Senatori Kerri tha se administrata e Presidentit Bush nevojitet të punojë fuqimisht me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të bindur vendet e tjera të dërgojnë më shumë trupa në Irak. Në emisionin e rrjetit ABC, ”This Week” - këtë javë - senatori Xhon Kajl, republikan nga shteti Arizona, i doli në mbrojtje pozicionit të Presidentit Bush. Ai tha se, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë mund të marrë në shqyrtim mundësinë e trupave të OKB-së nën komandën amerikane, ky është kufiri deri ku mund të pranojnë Shtetet e Bashkuara. ”Çështja është se cilat janë kushtet? Por nëse do të prapësohen vendimet, politikat ndaj vendeve që dolën kundër përpjekjeve të Amerikës, ky do të ishte gabim”.

Por senatori Riçërd Durbin tha në të njëjtin emision se roli i OKB-së është thelbësor. Demokrati nga Illinois ka qenë një prej kritikuesve më të hershëm të vendimit për ndërhyrje ushtarake në Irak. Ai tha se njerëzit me të cilët kishte biseduar në shtetin e tij gjatë pushimeve njëmujore të kongresit, i përkrahin trupat amerikane, por shfaqin shqetësime të thella. ”Njerëzit janë ende po aq besnikë sa ç’mund të jenë për trupat në terren dhe besoj se ato janë më të përgatiturat në botë. Por njerëzit janë të shqetësuar sinqerisht se numri i forcave që kemi humbur, qysh nga shpallja e fitores ushtarake, është më i madh se sa gjatë luftës”.

Shtëpia e Bardhë, që prej një kohe të gjatë, ngul këmbë se presidenti ka shpallur përfundimin e operacioneve kryesore luftarake, por jo fitoren. Zoti Bush është shprehur se është i brengosur për të gjitha humbjet në radhët e trupave amerikane, por se Shtetet e Bashkuara do t’i përmbahen kursit të deritanishëm në Irak. Ai tha gjithashtu se për kryerjen e misionit do të sigurohen fonde përmes një kërkese për shpenzime urgjente drejtuar Kongresit për miratim jo shumë kohë pas kthimit të ligjvënësve në Uashington. //az//

XS
SM
MD
LG