Lidhje

KOSOVË: Dënohet incidenti i fundit në Kosovën lindore dhe shpallet amnestia për dorëzimin e armëve të paligjshme - 2003-09-01


Zyrtarët më të lartë të institucioneve ndërkombëtare e vendore në Kosovë, dënuan sot incidentin e mbrëmshëm në fshatin Cërnicë të komunës së Gjilanit, me c’rast nga pasojat e një shpërthimi, u plagosën katër pjestarë të komunitetit serb, njëri nga të cilët vdiq më vonë nga pasojat e plagëve të marra.

Policia dhe forcat paqëruajtëse, ende nuk kanë dhënë ndonjë hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të kësaj ngjarjeje, e cila, u dënua ashpër nga kryeadminstratori i Kosovës Harri Holkeri. “Kjo është një ngjarje e përpërshkrueshme që dëmton imazhin e tërë Kosovës”, tha ai. Një qëndrim të ngjashëm shprehu edhe kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, sipas të cilit ngjarja e mbrëmshme tragjike, ishte një akt kriminal shumë i dëmshëm për Kosovën dhe se incidentet e tilla, krijojnë një gjendje të rëndë për qytetarët e saj. “Po duket se dikush kujdestaron që të bëjë akte të tilla kriminale, që të shkaktojë frikë tek qytetarët e Kosovës dhe të zbehë perspektivën e qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Rexhepi

Të dy zyrtarët e lartë së bashku me komandantin e forcave paqëruajtëse, gjeneralin italian, Fabio Minni, thanë se armët e paligjshme, që vazhdojnë të jenë në duart e qytetarëve, i bëjnë incidentet e dhunshme më vdekjeprurëse, duke hapur zyrtarisht një amnesti njëmuajshe për dorëzimin e këtyre armëve. Kryeadministratori Holkeri tha se, pavarësisht nga incidentet e dhunshme, siguria në Kosovë ka arritur shkallën e vendeve evropiane. Ai tha se në vitin 2000, në Kosovë kishte afërisht 250 vrasje, një vit më vonë ky numer ra në 136, ndërsa vitin e kaluar ishin gjithsejt 68 sosh.

Ndërkaq, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kishte 37 vrasje. Por, siguria do të shtohej më shumë poqese armët e paligjshme largohen nga duart e qytetarëve, tha ai. Komandanti i forcave paqëruajtëse gjenerali Fabio Minni, tha ndërkaq se KFOR-i do të përkrahë fuqishëm amnsitinë e shpallur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. Dorëzimi i armëve do të ndihmonte jo vetëm në zvogëlimin e akteve të dhunës, por edhe ndryshimin e kulturës së armëve, të cilat tha ai, duhet t’i takojnë të kaluarës për të mësuar historinë. “Ajo cfarë ka ndodhur në Kosova ka marrë fund. Lufta ka marrë fund sikurse edhe kundërshtitë që duhet të përfundojnë”, tha gjenerali Minni, duke nënvizuar se përkushtimi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës për siguri në Kosovë, zbehet nga aktet e dhunës së njerzve që duan të veprojnë kokë me vete, prandaj ky mentatlitet duhet të ndryshojë.

Amnestia përkon me një fushatë të vecantë të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara për dorëzimin e armëve të paligjshme. Sipas kësaj organizate nga 330 deri në 460 mije armë të paligjshme, ende ndodhen në duart e qytetarëve të Kosovës. Në këtë kuadër pritet të zbatohet programi “armë për zhvillim”, i cili po përkrahet me mjete financiare edhe nga qeveria japoneze. Gjatë këtij muaji, dorëzimi i armëve të paligjshme do të bëhet pa asnjë pasojë ligjore, ndërsa në përfundim të afatit, do të pasojnë dënime të rënda për të gjithë ata tek te cilet gjenden armë të tilla.

//ss//

XS
SM
MD
LG