Lidhje

Demaçi:Deklarata e Parlamentit të Serbisë për Kosovën - vazhdimësi e politikës së Millosheviçit. - 2003-09-01


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, veprimtari i të drejtave të njeriut, Adem Demaçi tha se Deklarata e Parlamentit të Serbisë për Kosovën, nga qëllimi, nuk ndryshon me përpjekjet e regjimit të vjetër të Beogradit

Zëri i Amerikës: Zoti Demaçi, gjatë viteve të fundit ju jeni angazhuar për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Si i shikoni incidentet e fundit me dhunë kundër serbëve vendorë dhe sa e dëmtojnë këto sulme imazhin e Kosovës?

A. Demaçi: Unë kam një opinion pak më të ndryshëm. Jam përpjekur dhe do të përpiqem, pavarësisht nga konjukturat politike, për të njohur të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grupeve të ndryshme etnike, pa dallim nga ana e shqipëtarëve sepse ky është interesi i vetë atyre. Nëse jemi mirë me pakicat, do të jemi mirë me vetveten dhe liria jonë do të jetë më e fortë dhe më e gjerë, nëse janë të lirë edhe ata që jetojnë bashkë me ne. Mirëpo, kohët e fundit, regjimi serb, i cili në esencë nuk ndryshon aspak nga regjimi i Milosheviçit, duke e parë se situata në Kosovë po qetësohet, sepse vrasjet ndëretnike nga viti në vit vinin duke u rralluar dhe duke u zvogëluar, duke parë se situata do t’i dalë nga dora dhe se bota nuk do të besojë në lojërat e tyre, ata vunë në lojë mekanizmat e pazbuluara të UDB-së, të cilat qëndrojnë ende në Kosovë. Krijuan një pikë të nxehtë të fuqishme, Mitrovicën e Veriut, ku u koncentruan të gjithë kriminelët që kanë bërë krime të papara nëpër Kosovë dhe kanë gjetur strehim të paprekshëm. Filluan trashëgimtarët e Cërna Rukës së Serbisë, Beretat e Kuqe, të fillojnë të bëjnë vrasje të njëpasnjëshme dhe sidomos me rastin e vizitave të rëndësishme të njerëzve të ndryshëm të botës, që këto vrasje të tingëllonin më shumë, të dëgjoheshin më shumë, dhe në këtë mënyrë ta bindin botën se shqiptarët janë ata që nuk rrinë urtë dhe vrasin serbë etj, etj.

Zëri i Amerikës: Zoti Demaçi, Deklarata e Parlamentit të Serbisë mbi Kosovën, e cila është dënuar me forcë nga udhëheqësit shqiptarë, është interpretuar në mënyrë të ndryshme nga analistë të huaj. Ndërsa disa këmbëngulin se kjo deklaratë është në vazhdimësinë e strategjisë serbe për rivendosjen e kontrollit mbi Kosovën, ose ndarjen e saj, analistë të tjerë thonë se ndikimi i deklaratës serbe do të jetë minimal dhe se ajo u miratua kryesisht për konsum të brendshëm. Si e interpretoni ju, deklaratën e Parlamentit të Serbisë?

A. Demaçi: Ata që thonë se kjo deklaratë ka ndikim minimal, bëjnë politikën e strucit! Në të vërtetë, kjo deklaratë është përfundimi i përpjekjeve diplomatike, politike, juridike të Serbisë, që me këto mjete të arrijnë ta pushtojnë Kosovën. Këto bëhen në vazhdën e rezolutës 1244, e cila flet për sovranitetin dhe integritetin e Jugosllavisë, tani Unionit të Serbisë dhe Malit të Zi, mbi Kosovën. Kështuqë, kjo është një pjesë e politikës, ku Serbia e bën të vendosur qëndrimin e vet, se kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova dhe në zhvillimet e mëtejshme Serbia do ta ketë këtë opsion, kurse shqiptarët gjithashtu do ta kenë opsionin e pavarsisë, dhe do të gjejë bota një zgjidhje, ashtu siç e ka paraparë në rezolutën 1244, njëfarë autonomie, e cila nuk di askush se si do të duket, edhe pse i thonë substanciale. Do me thënë, diçka më pak se liria! Pra, kjo do me thënë, se dikush të na i ruajë ne kufijtë, sidomos ata me Shqipërinë, të na bëjë policinë, të na drejtojë ekonominë, të na drejtojë punët e jashtme, mbrojtjen e të tjera. Kështuqë, neve do të na mbetet një pushtet i rremë lokal, i cili në fund do të përfundojë me një lloj decentralizimi në vija etnike dhe do të bëhet një leopardizim i vërtetë i territorit të Kosovës. Kjo do të jetë një tragjedi e re dhe burim i ri i gjakderdhjeve të reja, të cilën po e shkakton regjimi i Beogradit në mënyrë sistematike me politikën e vet, në vazhdën e politikës së Millosheviçit, por me mjete tjera. Meqë Millosheviçi dështoi ta arrijë qëllimin e vet me forcë, tani udhëheqësit e rinj serbë mundohen me dinakëri, duke u munduar të angazhojnë Evropën, sidomos Evropën, dhe të tjerët që janë me ta, që t’i detyrojnë shqiptarët të pranojnë një robëri të re. Kjo është një politikë krejtësisht e mbrapshtë dhe krejtësisht e parregullt dhe unë kam frikë se bota nuk është duke e kuptuar lojën që është duke luajtur regjimi i Beogradit dhe po mendon se nëse ai e ka ndryshuar veshjen, nuk po dinë se brendia ka mbetur e njejtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Demaçi, sipas mendimit tuaj cili duhet të jetë reagimi i Prishtinës ndaj Deklaratës së Parlamentit të Serbisë?

A. Demaçi: Liderët të cilët nënshkruan Rambujenë dhe Rezolutën 1244, domethënë ata që e sollën situatën deri këtu, të cilët kanë pranuar të hyjnë në lojën e kornizës kushtetuese e cila ka qenë vazhdim i Rambujesë dhe i Rezolutës 1244, duhet të largohen nga politika dhe t’ua lëshojnë vendin atyre, të cilët e duan më shumë Kosovën, se sa kolltuqet. Kjo do të ishte pra, mundësia që të krijohet një bashkim i vërtetë i gjithë qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të tregohet vullneti i tyre me mjete paqësore, në mënyrë që të mos vijmë në atë, që të shprehet pakëkaqësia e shqiptarëve të rirobëruar përsëri dhe tek veprime, të cilat do të jenë të këqija dhe tragjike edhe për shqipëtarët, edhe për rrethinat dhe ambientin, si dhe për të gjithë Ballkanin.

XS
SM
MD
LG