Lidhje

Në Bagdad vritet një polic dhe plagosen rreth 10 veta të tjerë - 2003-09-02


Shpërthimi i makinës bombë në mes ditë ndodhi në selinë e shefit të përkohshëm të policisë së Bagdadit.

Administratori amerikan për Irakun, Paul Bremer, e dënoi sulmin. “Edhe një herë, terrorstët treguan se nuk do të ndalin para asgjëje për të bërë realitet ovjektivat e tyre, por ata duhet të ndalen.”

Zoti Bremer ofroi gjithashtu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të sulmit me bombë të premten në Naxhaf, ku humbën jetën më shumë se 80 veta, përfshirë edhe udhëheqësin mysliman shiitë, Ajatollah Mohamed Baqir al-Hakim. Ajatollahu shiit u varros dje në një ceremoni emocionale, ku morën pjesë dhjetra mijëra pasues të tij.

Ndërkaq, zyrtarë ushtarakë amerikanë njoftuan se një ushtar amerikan u vra në një aksident me helikopter në Bagdad nga i cili u plagos edhe një ushtar tjetër. Zyrtarët thanë gjithashtu se edhe 2 ushtarë amerikanë në forcat e policisë ushtarake humbën jetën dhe një i tretë u plagos të hënën mbrëma në kryeqytetin irakian kur autokolona e tyre hasi në një mjet shpërthyes.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se administrata e presidentit Bush do të kërkojë një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara, e cila do të zgjeronte rolin e OKB-së në Irakun e pas luftës.

Zyrtari tha se rezoluta e re do të shtojë rolin e Kombeve të Bashkuara në qeverisjen e Irakut dhe do ta bëjë më të lehtë për vende të tjera që të marrin pjesë në forcën paqëruajtëse ndërkombëtare në Irak.

Zyrtari, i cili foli me kusht që të mos identifikohej, tha se së shpejti administrata e presidentit Bush do të fillojë diskutimin e propozimit me Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

//ze//

XS
SM
MD
LG