Lidhje

UNHCR: ulet numri i azilkërkuesve - 2003-09-02


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se ka rënë ndjeshëm numri i personave që kërkojnë azil në 29 vende të industrializuara. Një anketë e re tregon se numri i azilkërkuesve ka arritur shifrën më të ulët që kur agjencia filloi të mbajë të dhëna për ta në vitin 1999.

Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se raporti i fundit ka lajme shumë të mira. Aty thuhet se numri i njerëzve që kërkojnë azil është ulur ndjeshëm dhe kjo do të thotë se më pak njerëz kanë nevojë të largohen nga qeveritë shtypëse.

Raporti tregon se gjatë tre muajve të fundit ka një zbritje prej 12 përqindësh në numrin e kërkesave për azil në 29 vende të industrializuara. Zëdhënësi i agjencisë Rupert Colville, thotë se kjo ka ndodhur kryesisht nga pakësimi i numrit të azilkërkuesve irakianë.

"Gjatë tre muajve të fundit ka patur 43 përqind më pak irakianë që kanë kërkuar azil, krahasuar me tre muajt e parë të vitit që gjithashtu ishte më i ulët krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë në se paqëndrueshmëria vazhdon, ose keqësohet më tej, mund të presim që numri i irakianëve që kërkojnë azil të rritet. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë, por mundësia ekziston", thotë zoti Colville.

Një rënie tjetër e ndjeshme shihet tek azilkërkuesit pakistanezë dhe turq. Gjatë 18 muajve të fundit numri i azilkërkuesve afganë ka rënë vazhdueshëm. Por statistikat e reja tregojnë se numri i tyre është rritur përsëri me 10 përqind gjatë tre muajve të fundit.

Raporti thotë se një rritje të ndjeshme të azilkërkuesve ka nga republika ruse e Çeçenisë. Numri i tyre u rrit me 54 përqind duke i bërë ata grupin më të madh. Raporti ve në dukje gjithashtu se çeçenët kryesisht shkojnë në Austri, Poloni, Republikën Çeke, Sllovaki dhe vende të tjera të Evropës Qendrore.

Megjithë rënien në përgjithësi të numrit të azilkërkuesve, zoti Colville shpjegon se kjo nuk do të thotë se vendet e industrializuara do të zbusin kufizimet e tyre ndaj njerëzve që përpiqen të hyjnë në këto vende.

"Vendet e industrializuara do të jenë më të qeta nga azilkërkuesit. Shifrat e raportit e tregojnë këtë qartë. Por në disa vende, azilkërkuesit janë bërë çështje e ndjeshme politike, e shpesh herë çështja më e rëndësishme. Si e tillë, ajo merr formën e saj të zhvillimit dhe njerëzit nuk heqin dorë nga një çështje politike e cila ju siguron karrierën".

Raporti thotë se Britania shënoi uljen më të ndjeshme të azilkërkuesve, pasuar nga Spanja, Irlanda, Gjermania dhe Suedia. Numri i azilkërkuesve në Amerikën e Veriut gjithashtu u ul me 12 përqind. Megjithatë, raporti thekson se Shtetet e Bashkuara kishin numrin më të madh të azilkërkuesve nga të gjitha vendet e industrializuara.

//rd//

XS
SM
MD
LG