Lidhje

Virusi i Nilit Perendimor - 2003-09-02


Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po alarmohen nga përhapja e sëmundjes që shkaktohet nga mushkonjat që njihet si virusi i Nilit Perëndimor. Deri tani nuk ka asnjë vaksinë kundër sëmundjes tek njerëzit dhe me sa duket do të duhen disa vjet para se zbulohet një vaksinë e tillë.

Virusi i Nilit Perëndimor është kthyer përsëri në Shtetet e Bashkuara dhe këtë vit me tërbim, duke rritur frikën se vendi mund të përballet me një tjetër rekord rastesh të sëmundjes vdekjeprurëse që shkaktohet nga mushkonjat.

Këtë vit shtetet jugperendimore dhe ato qendrore janë më të prekurat, një situatë tjetër nga pesë vjet më parë kur sëmundja e shkaktuar nga mushkonjat u përhap për herë të parë në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë u prek pjesa verilindore. New Yorku ishte i pari qytet që u prek. Qysh atëherë zyrtarët e shëndetësisë së qytetit po përpiqen të mos lejojnë përhapjen e mushkonjave.

Deri tani, 2003shi nuk ka shënuar ndonjë rast të sëmundjes tek njerëzit, por këtë javë zyrtarët zbuluan dy zogj të ngordhur të infektuar prej saj. Kjo ka bërë të fillojë një fushatë intensive për të ngordhur mushkonjat e rritura para se ato të prekin njerëzit.

Shteti i Kolorados është prekur shumë këtë vit. Tre gra të moshuara vdiqën ditët e fundit nga virusi i Nilit Perëndimor. Ky shtet është në krye të listës me rastet e konfirmuara të vdekjeve nga virusi.

Zyrtarët e gjejnë shkakun e numrit të madh të rasteve në Kolorado tek pranvera e lagësht dhe korriku i nxehtë që shkaktojnë rritjen e numrit të mushkonjave. Deri tani Kolorado ka patur 111 raste të konfirmuara dhe katër vdekje.

Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, e cila ka ndjekur virusin që nga viti 1999, njoftoi javën e kaluar se virusi është në rritje. Në një konferencë shtypi, drejtoresha e qendrës, Julie Gerberding njoftoi se “numri i rasteve të virusit të Nilit perëndimor është trefishuar që nga java e kaluar, kështu që po shohim një rritje të ndjeshme të numrit të personave të infektuar, tha zonja Gerberding. Deri tani 153 vetë janë të infektuar nga visuri në 16 shtete”.

Në të njëjtën kohë vitin e kaluar, qendra për kontrollin e sëmundjeve konfirmoi pak më shumë se 100 raste në vetëm 4 shtete. Në vitin 2002 virusi shkaktoi vdekjen e 284 vetëve dhe infektoi rreth 4 mijë të tjerë.

Shumica e njerëzve të pickuar nga mushkonjat që kanë virusin kanë dhimbje koke dhe simptoma të gripit, por të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe ata me sistem të dobët imunitar mund të sëmuren nga encefaliti dhe milingjiti kur infektohen nga virusi.

Deri tani nuk ka asnjë vaksinë kundër sëmundjes tek njerëzit por shkencëtarët kanë arritur me sukses të prodhojnë një vaksinë për kuajt. Me sa duket do të duhen disa vjet para se zbulohet vaksina për njerëzit.

Pavarësisht nga rritja alarmuese e numrit të rasteve të virusit, profesorja Carol Reiss, në Universitetin e New Yorkut është optimiste. Ajo thotë se rreth 5 deri në 10 përqind e njerëzve të infektuar kanë nevojë për trajtim mjeksor.

Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve rekomandon që njerëzit të tregojnë kujdes në kopshtet e tyre për të evituar lagështinë dhe të spërkasin rrobat me solucione kundër mushkonjave kur janë në ambjente të hapur.

//rd//

XS
SM
MD
LG