Lidhje

Foshnjet dhe Inteligjenca - 2003-09-03


Jo shumë kohë më parë shumë njerëz besonin se foshnjat kishin nevojë vetëm të ushqeheshin, të mos kishin ftohtë dhe të mos ishin të lagur. Disa njerëz mendonin se bebet nuk ishin në gjendje të mësonin gjë, para se të mbushnin pesë ose gjashtë muaj. Por doktorët në Shtetet e Bashkuara thonë se foshnjat fillojnë të mësojnë që ditën e tyre të parë të jetës.

Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Zhvillimit të Fëmijës këtu në Shtetet e Bashkuara ka si qëllim të zbulojë se cilat përvoja mund të ndihmojnë zhvillimin e shëndetshëm tek njerëzit.

Shkencëtarët e Institutit vënë re se mjedisi ndikon shumë tek bebet. Ata thonë se foshnja buzëqesh nëse e ëma bën diçka që i pëlqen atij. Bebja mëson që të marrë përkujdesjet maksimale duke buzëqeshur për të kënaqur mamanë e vet, ose persona të tjerë që kujdesen për të. Kështu bebet mësojnë të komunikojnë me qenie të tjera njerëzore. Studiuesit amerikanë thonë se kjo aftësi ekziston tek bebet që para se të lindin dhe se të sapolindurit mund të dallojnë tingujt që kanë dëgjuar që kur ishin në barkun e nënës.

Studiuesit finlandezë kanë provuar se foshnjat mësojnë edhe duke fjetur. Ata kanë arritur në përfundimin se të porsalindurit mund të mësojnë të identifikojnë tinguj të ndryshëm ndërsa janë në gjumë. Kjo ndodh sepse një pjesë e trurit të tyre që quhet korteksi cerebral mbetet aktive gjatë natës. Korteksi është shumë i rëndësishëm për të mësuar. Kjo pjesë e trurit nuk është aktive tek të rriturit kur ata flenë.

Shumë ekspertë thonë se vitet e para të jetës së një fëmije janë të rëndësishëm për gjithë zhvillimin e mëtejshëm. Një studim amerikan tregon se nënat mund të ndikojnë fuqimisht tek zhvillimi shoqëror dhe ai i gjuhës tek fëmijët e tyre.

Në këtë studim u morën në shqyrtim mbi 1,200 nëna dhe fëmijë. Studiuesit e ndoqën zhvillimin e fëmijëve që kur ata ishin një muaj e deri kur mbushën tre vjeç. Ata i vëzhguan nënat duke luajtur me fëmijët katër herë gjatë kësaj periudhe.

Nga testet rezultoi se fëmijët e nënave me depresion nuk ia dolën aq mirë në aktivitetet dhe lojrat e tyre, ndryshe nga ata të nënave që nuk vuanin nga depresioni. Fëmijët e nënave me depresion, nuk dolën mirë në testet për gjuhën dhe të kuptuarit, nuk bashkëpunuan aq shumë dhe kishin më shumë probleme në marrëdhënie me njerëzit. Por nga ana tjetër kur nënat tregonin kujdes dhe ishin të ndjeshme ndaj aktiviteteve të fëmijëve të tyre, këta të fundit kishin rezultate të mira edhe nëse këto nëna ishin me depresion.

Një studim tjetër tregon se foshnjat që kanë peshë më të lartë në lindje janë më të zgjuar në vitet e mëtejshme të jetës. Disa nga organizatorët e studimit thonë se ndoshta kjo ndodh pasi bebet me më shumë peshë janë ushqyer më mirë gjatë periudhave të rëndësishme të zhvillimit të trurit para se të lindnin.

Ndërsa një studim tjetër mori në shqyrtim foshnjat e lindura nën peshë. Duke krahasuar zhvillimin e tyre me atë të fëmijëve të tjerë gjatë 20 vjetëve, studiuesit zbuluan se të rinjtë që kishin lindur shumë nën peshë, kishte më shumë shanse që të mos e mbaronin shkollën e mesme. Gjithashtu ata nuk kishin dalë aq mirë në testet e inteligjencës. Por nga ana tjetër, ata kishin më pak shanse për të përdorur drogë, ose alkool, si edhe për shtatzani të parakohëshme.

Një studim tjetër, i njohur si projekti i ABC-së, tregon rëndësinë e arsimimit të hershëm për fëmijët e varfër. Për të provuar këtë, ekspertët morën 100 fëmijë dhe gjysmën e tyre e çuan në çerdhe dhe kopshte të cilësisë së lartë, ku ata mësuan dhe kryen aktivitete që nxisnin aftësitë e tyre. Ata i ndoqën këto programe që kur ishin disa javësh derisa u bënë pesë vjeç. Më pas, ashtu si edhe fëmijët që nuk kishin shkuar në çerdhe dhe kopshte të mira, vazhduan shkolla publike. Kur ishin bebe, fëmijët e të dyja grupeve kishin rezultate të ngjashme, por nga mosha 18 muajshe ata që ndoqën çerdhet dhe kopshtet patën rezultate shumë më të mira në teste. E njëjta gjë u vu re, kur ishin 12 dhe 15 vjeç. Kohët e fundit, ata u shqyrtuan në moshën 21 vjeçare dhe prapë fëmijët që kishin marrë arsimim të hershëm dolën më mirë në teste leximi dhe matematike. Studimi është një provë e mëtejshme se mësimi gjatë muajve dhe viteve të para të jetës ka rëndësi për gjithë zhvillimin e mëtejshëm.

//rd//

XS
SM
MD
LG